Fluks për testet e shpejta, në ditë testohen rreth 80 persona për Covid, 30% dalin pozitivë

Këtë fillim janari Qendrat Shëndetësore ku kryhen edhe testet e shpejta po përballen me fluks qytetarësh të cilët duan të dinë nëse janë të infektuar me koronavirus.

Mungesa e distancës, teksa janë në pritje të kryerjes së testit, rrezikon nga infektimi edhe ata që s`mund të jenë prekur.

"Kam që në orën 8:30, kam pak temperaturë, distanca nuk ruhet."

"Jemi shqiptaro-albanez që nuk mbajmë dot distancën."

Drejtori i Qendrës Shëndetësore numër 6 në Tiranë, Besar Hysi, thotë se në këtë qëndër testohen çdo ditë rreth 80 persona.

"Pas festave kemi pasur një rritje të konsiderueshme të testeve të shpejta, kryhen 70-80 testime në ditë. Nga këto 30% dalin pozitive."

Ka një konfuzion mes qytetarëve dhe shpesh mes mjekëve nëse simptomat me të cilat pacientët paraqiten në spital janë tregues të infektimit me koronavirus apo gripit sezonal.

"Lodhje, dhimbje koke dhe fyti, rrufë, kollë. Janë pothuajse simptoma të njëjta."

Teksa Florona, mbivendosja e gripit dhe Covid-19 është kërcënimi i radhës, mjeku Hysi këshillon kryerjen e vaksinave për më shumë mbrojtje.

"Ata pacientë që kanë bërë vaksinën e gripit dhe koronavirusit e kalojnë më lehtë se pacientët që nuk janë të imunizuar apo vaksinuar."

Këtë fillim viti Shqipëria po përballet me një numër në rritje të infektimeve, ndërsa për fat të mirë fatalitetet janë të ulëta.