"Vitin tjetër del vaksina e miratuar në Itali", doktori: Shkencëtarët e papolitizuar thonë se Omicron është varianti i fundit
Vendet në të gjithë Evropën po shtrëngojnë kufizimet ndërsa infeksionet rriten dhe varianti i ri "Omicron" përhapet në kontinent. Edhe në Shqipëri janë zbuluar dy rastet e para të variantit të ri "Omicron." Sipas të dhënave, ky variant është 70% më i transmetueshëm se sa Delta.
Doktori Adrian Fandi në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News, me gazetaren Matilda Mcini tha se vitin tjetër do të dalë një vaksinë e re, e cila është miratuar në Itali.
Në kushtet kur e kemi të pamundur izolimin e kësaj pandemie, duhet të presim nga shkenca që të nxjerrë të tjera vaksina që i referohen mutacioneve të vazhdueshme?
Fandi: Vitin që vjen po del një vaksinë që është miratuar në Itali, që është një vaksinë e cila mund të quhet si vaksina e dikurshme e gripit. Nëse ne shohim se si ka qenë situata pas 20 muajve, vërejmë se varianti i parë ka qenë shumë më agresiv, vdisnin me mijëra njerëz në ditë në çdo vend. Varianti i parë ishte më shumë patogjen. Ndërsa varianti i ri, Omicron nuk është kaq vdekje prurës sa variantet e tjera, edhe pse është rritur numri i prekshmërisë. Kjo tregon që virusi është duke u dobësuar.
Doktor Fandi tha se nëse vjen ndonjë variant tjetër do jetë më i dobët se sa Omicron.
Me ritmet që po ecën pandemia dhe variantet e reja që po shfaqen doktori tha se dëshira e tij për tu shkëputur përfundimisht nga pandemia është që në prill të zhduket virusi.
Fandi: Po lexoj shumë komente të shkencëtarëve në botë, të papolitizuar, që nuk kanë konflikt interesi, thonë se sëmundshmëria e covid nga një variant në tjetrin është duke u ulur gjithnjë e më shumë dhe presin që varianti Omicron të jetë varianti i fundit dhe bota do lirohet deri në verën që vjen. Ky është mendimi i shkencëtarëve.
Dy rastet e para me Omicron në Shqipëri janë konfirmuar nga laboratori i referencës në Gjermani.
