Urdhri i ri shton interesin për vaksinim, verifikim në zyrat e burimeve njerëzore për dokumentin e imunizimit

Në ditët e fundit është vënë re një shtim i interesimit për t’u vaksinuar ndaj Covid 19, në "Air Albania" këtë të mërkurë nuk munguan radhët, kjo menjëherë pas kthimit në punë të administratës. Ministria e Shëndetësisë sqaron se kontrolle do të ketë në zyrat e burimeve njerëzore të të gjitha kompanive dhe administratës, e nëse kapen me shkelje do të ketë penalitete.

Urdhri i ri i Komitetit Teknik të Ekspertëve për vaksinimin e të gjithë punonjësve në administratën publike, supermarkete apo Qendra Tregtare ka bërë që të shtohen radhët nëpër pikat e vaksinimit anti-Covid.

"Unë kam të tretën se jam staf mjekësor, vajza ka të parën se punon në Qendër Tregtare."

"Radhë e madhe ishte, pritëm një orë aty."

Kontrollet për paraqitjen e një dokumenti të imunizimit ndaj Covid-19 do të kryhen në zyrat e burimeve njerëzore në çdo subjekt që përfshin urdhri.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Vjollca Braho, thotë se penalitete do të ketë për subjektet nëse kapen në shkelje duke lejuar punonjësit e pavaksinuar në punë.

"Të gjithë burimet njerëzore të këtyre subjekteve duhet që në momentin që shkohet kontroll nga ana e Inspektoriatit  Shtetëror Shëndetësor të kenë një nga dokumentat, ose certikatën e vaksinimit, ose testin PCR, ose certifikatën e  shërimit. Në rast të moszbatimit të tyre do të vendosin dhe masa administrative."

Me një urdhër të njëjtë nisën edhe universitetet, por sot në çdo Fakultet futen të gjithë, pa dallim.