"Disa aktorë politikë nuk ndajë vlera euro-atlantike", Escobar paralajmëron destabilizuesit e rajonit: Do vendosim sanksione

Përfaqësuesi i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka dhënë një intervistë për mediet malazeze ku ka thënë se Uashingtoni nuk do të hezitojë të vendosë sanksione për ata që destabilizojnë rajonin.

Escobar ka thënë se liderët ne Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë për interesin e qytetarëve dhe jo për përfitime personale apo të partive të tyre.

"Ne nuk do të hezitojmë të shfrytëzojmë sanksionet dhe mekanizma të tjerë për të çuar një mesazh të fortë për aktorë të korruptuar dhe që destabilizojnë rajonin."

Escobar ka thënë se SHBA-ja do të jetë një partner i atyre që kanë qasje konstruktive dhe jo destruktive ndaj ardhmes së rajonit, që karakterizohet nga anëtarësimi në BE dhe NATO dhe në ekonominë transparente.

Disa ditë më parë Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj grupit të Zvonko Vesellinoviçit dhe Milan Radojiçiçit, ndërsa të mërkurën Departamenti i Thesarit njoftoi masa shtesë ndaj kreut të Republika Srpskas dhe anëtarit serb të Presidencës së Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik.

Dodik muajt e fundit ka intensifikuar përpjekjet për shkëputje dhe destabilizim të Bosnje e Hercegovinës.