Rindizen tensionet Turqi-Greqi: "Athina preferon konfliktin në vend të paqes"

Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme turke, Tanju Billgiç iu është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Ministri grek deklaroi gjatë një takimi me ministrin e jashtëm saudit, Princin Faisal bin Farhan al-Saud se Turqia është përfshirë në një shtrembërim të vazhdueshëm të së vërtetës dhe të çdo koncepti të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën e zgjerimit në det.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke deklaroi se deklaratat antiturke të bëra thuajse çdo ditë nga ministri Dendias janë akuza populiste dhe joreale që nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit.

Ai shtoi se kjo retorikë provokuese nuk përputhet as me marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe as me frymën e rivendosjes së marrëdhënieve që kemi rinisur me Greqinë.

Billgiç: Këto iluzione të Dendias janë një provë e mëtejshme se Greqia preferon tensionin duke kërkuar ndihmë nga palët e treta dhe duke krijuar aleanca artificiale kundër Turqisë, në vend që të zhvillojë marrëdhëniet përmes dialogut të sinqertë me vendin tonë.

Ministri Dendias përmes një postimi në rrjetin social Twitter njoftoi se kishte komunikuar me nënsekretaren amerikane të shtetit, Wendy Sherman dhe se e kishte vënë atë në dijeni të provokimeve të shtetit turk.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë deklaroi gjithashtu se nëse ekziston një kërcënim në rajon, ai buron nga veprimet e njëanshme të Greqisë që rrisin tensionet./Ora News/