Biden, telefonatë me homologun ukrainas Zelensky: Mbështetje amerikane po u cënuat nga Rusia

Presidenti amerikan Joe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologu ukrainas Zelensky ku përsëriti mbështetjen e tij për sovranitetin e Ukrainës. Biden kërkoi që Putini të shmang ccdo skenar pushtimi dhe të ulet në bisedime me Kievin.

Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës mbeten ende të larta, ku kjo e fundit i druhet një pushtimi rus së afërmi. Së fundmi, ka qenë vetë Presidenti amerikan Joe Biden që e ka siguruar Ukrainën për mbështetjen amerikane përballë një sulmi ushtarak ruse në kufijtë e Ukrainës.

Në telefonatën e zhvilluar me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se Amerika dhe aleatët e saj do të "përgjigjen me vendosmëri" nëse Rusia pushton Ukrainën.

Ai "ripohoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki në një deklaratë pas bisedës mes dy liderëve.

Zelenskiy tha se Ukraina e vlerëson mbështetjen "e palëkundur" nga Amerika, duke vënë në dukje më tej se ai dhe homologu Biden diskutuan për bashkëpunimin midis SHBA-së, Ukrainës dhe partnerëve të tjerë "në ruajtjen e paqes në Evropë, parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, reformat dhe cc’rrënjosjen e oligarkisë".

Në ditët në vijim pritet që të mbahet një samit dypalësh për Stabilitetin Strategjik mes Këshillit të NATO-s dhe Rusisë.

Rusia ka kërkuar garanci gjithëpërfshirëse sigurie nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, duke përfshirë që Ukraina dhe vendet e tjera ish-sovjetike nuk do t'i bashkohen NATO-s dhe një kthim prapa të dislokimeve ushtarake amerikane në Evropën Qendrore dhe Lindore. Putin i ka kërkuar Perëndimit që t’i përmbushë kërkesat “menjëherë”.

Rusia thotë se grumbullimi i dhjetra mijëra trupave të saj në kufi me Ukrainën vjen sepse ajo nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj agresionit të NATO-s në "pragun e derës" së Rusisë.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Rusisë që të "angazhohen në mënyrë domethënëse" në bisedimet e ardhshme të nivelit të lartë midis Moskës dhe Kievit dhe të përjashtojnë çdo skenar pushtimi.