Zjarri në Kolorado shkatërron afro 1000 shtëpi, pamjet nga ajri janë të frikshme-VIDEO
Gati 1000 shtëpi janë shkatërruar nga zjarri në shtetin perëndimor të Kolorados amerikane, thanë sot zyrtarët lokalë, ndërsa tre persona janë të zhdukur dhe dyshohet se kanë vdekur.
Sherifi i qarkut të Boulder County, Joe Pelle, u tha gazetarëve se 991 ndërtesa ishin shkatërruar dhe 127 të tjera ishin dëmtuar nga një zjarr i egër që shpërtheu të enjten në veri të Denverit.
Pelle tha se ishte konfirmuar se tre persona ishin të zhdukur dhe kishte frikë se ata kishin vdekur sepse shtëpitë e tyre ishin shkatërruar nga zjarri.
“Janë tre raporte të pazgjidhura për persona të zhdukur. Shtëpitë e tyre janë shkatërruar dhe në ato shtëpi ka mbetje të mundshme njerëzore. Vendet e zjarreve janë ende të nxehta, gjithçka është shembur dhe tani është mbuluar me rreth 20 centimetra borë”, tha Pelle.
"Kështu që kërkimi është dukshëm më i vështirë," tha ai, duke shtuar se reshjet e borës kishin penguar përhapjen e zjarrit.
“Mendova se do të kishim humbur jetë vetëm në bazë të përmasave të këtij zjarri, shpejtësisë dhe seriozitetit të tij. Mendoj se është e mahnitshme nëse janë tre, jo 100 apo qindra, kështu që jam mirënjohës për këtë, por gjithashtu më vjen jashtëzakonisht keq për ato familje”.
Sherifi tha se një hetim për shkakun e zjarrit po vazhdon.
Agjencia franceze e lajmeve AFP tha se dëmi ishte tronditës: pamjet ajrore treguan rrugë të tëra të kthyera në grumbuj hiri. Zjarri, ndryshe nga zjarret e mëparshme, preku periferinë, jo vetëm zonat rurale.
Të enjten, një zjarr i egër detyroi rreth 30,000 njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre në qytetet Louisville dhe Superior, në veri të Denverit.
Sipas guvernatorit të Kolorados, Jared Polis, zjarri, i cili u ndez nga erërat e forta, shkatërroi lagje të tëra “sa hap e mbyll sytë”.
Banorët u urdhëruan të evakuonin shtëpitë e tyre të enjten, shumica vetëm me rrobat që kishin veshur.
“Familjet kishin vetëm disa minuta për të vendosur gjithçka që mundeshin – fëmijët e tyre, kafshët – në makinë dhe të largoheshin”, shpjegoi Polis.
Zjarret e tilla janë të pazakonta në dimër.
Kolorado është goditur nga thatësira ekstreme për disa vite, ashtu si pjesa më e madhe e perëndimit të Amerikës.
Vitet e fundit, kjo pjesë e Shteteve të Bashkuara ka përjetuar zjarre të paprecedenta, veçanërisht në Kaliforni dhe Oregon.
Me ngrohjen globale, intensiteti dhe frekuenca e thatësirës dhe episodeve të valëve të nxehtësisë ka të ngjarë të rritet më tej, duke vazhduar të krijojë kushte ideale për zjarret në pyje.

