Vodhën supermarketin e Sarandës, njëri prej autorëve të dyshuar ishte tekniku i kamerave. Momenti i arrestimit
Këto pamje tregojnë arrestimin e organizatorit të dyshuar të vjedhjes së një supermarketi në Sarandë.
Ai është Bekdash Cukalla, punonjës i sistemit të kamerave të sigurisë pranë biznesit që u bastis më 11 Dhjetor.
Për shkak të detyrës dhe aksesit që kishte, 37 vjeçari ishte në dijeni se në kasafortë mbaheshin shuma të konsiderueshme parash.
Për vjedhjen ai dyshohet se bashkëpunoi me Edmond Duzhën. një hajdut serial nga Lezha.
40 vjeçari që po ashtu tashmë është në pranga, rezulton se ka qenë i dënuar më parë në Itali për "Vjedhje" dhe "Dhunë/sulm ndaj forcave të policisë”.
Bekdash Cukalla dhe Edmond Duzha sipas policisë u futën në objekt nga dera e pasme të veshur me kostum sportive dhe maskë anti kovid.
Zbrazën kasafortën dhe për të fshirë gjurmët morën serverin e kamerave të sigurisë.
Por tekniku 37 vjeçar nuk e dinte se ambient kishte edhe një kamera tjetër të fshehur e cila ka filmuar gjithçka dhe mbi bazë të saj hajdutët janë identifikuar.
Pretendimet janë se shuma e vjedhur shkon në 20 milion lekë, por ajo që policia ka arritur të gjejë është më e vogël.
Dy hajdutëve, policia iu gjeti 400.000 lekë të rinj, 2500 dollarë amerikan, 1000 paund britanik.
Gjithashtu u gjet serveri i kamerave të sigurisë, dhe u sekuestruan dy makina dhe mjete të tjera që u përdorën për vjedhjen.
