Edhe avokatët e Shkodrës kundër hartës së re gjyqësore: Në shkelje të interesit publik të qytetarëve

Avokatët kundërshtojnë projektin e hartës së re gjyqësore e cila parashikon shkrirjen e 36 gjykatave në vetëm 20 të tilla në të gjithë vendin. Ata thonë se skema e re nuk i shërben qytetarëve dhe e zhyt vetë sistemin në vështirësi. Edhe dhoma e avokatisë në Shkodër është kundër hartës së re gjyqësore.

Kreu i dhomës Anton Kosteri u shpreh se shkrirja e Gjykatave është në shkelje të rëndë të interesit publik të qytetarëve.

Kosteri: Në lidhje me hartën e re gjyqësore të propozuar nga ministria e Drejtësisë dhe KLGJ ne si dhoma e avokatisë në Shkodër e kundërshtojmë këtë draft, i cili për mendimin tonë është në kundërshtim dhe në shkelje të rëndë të së drejtës së aksesit në Gjykatë të qytetarëve. Ne vlerësojmë se kjo hartë është në shkelje të rëndë të interesit publik të qytetarëve duke u larguar atyre Gjykatën nga vendi i tyre i banimit. Ne vlerësojmë se shkurtimi i 19 Gjykatave e largon në mënyrë domethënëse qytetarin nga Gjykata sepse e detyron që qytetarët nga skajet më të largëta ta Shqipërisë të shkojnë në Tiranë ku përveç kostove të udhëtimit duhet të gjejnë dhe një hotel në Tiranë pasi nuk mund ta bëjnë brenda ditës.   

Ne vlerësojmë se qëllimi i diabolik i këtij drafti dhe që i fshihen publikut, është dështimi katastrofik reformës në drejtësi- që ka shkaktuar fillimisht bllokimin e GJL dhe GJK, dhe tani edhe vijon edhe me bllokimin e gjykatësve të Apelit dhe atyre Administrative, për shkak të strategjisë së gabuar të ndjekur që në fillim të reformës, duke mos përgatitur fillimisht terrenin e duhur që do lindte pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjithashtu, vlerësojmë se këto institucione nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga dështimi edhe i krijimit të Gjykatave Administrative, që ka shkaktuar bllokimin e Gjykatës Administrative të Apelit, me tre mijë dosje për gjyqtar dhe vijon të bëjë gabim pas gabimi, për të arnuar defektet e së kaluarës.

Kosteri  i bëri thirrje edhe dhomave të tjera që ti bashkohen qëndrimit të Dhomës së Korçës dhe Shkodrës dhe ta kundërshtojnë këtë draft.