U anulua në janar 2019, qeveria rikthen sërish koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar

Qeveria e shqiptare, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave ka vendosi që të rikthejë sërish projektin me koncesion të rrugës të rrugës Thumanë-Kashar.

Kështu sot është miratuar autorizimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të vijuar procedurat e negocimit me kompanitë “Gener 2” dhe “G2 Infra”.

Qeveria me këtë akt ka zgjedhur që të respektojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit të datës 29 korrik 2021, ku pas anulimit të koncesionit për shkak të daljes në dritë të skandalet me kompaninë DH Albania, dy kompanitë e hodhën në gjyq ministrinë e Infrastrukturës dhe e fituan atë.

Ishte janari i vitit 2019, kur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku do të deklaronte për ndërprerjen e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar me këto kompani.

Ndërsa sot, qeveria pohon se do të ekzekutojë vendimi ne gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, duke për të vazhduar negocimin për këtë projekt dhe për këtë gjë ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Vendimi i qeverisë:

AUTORIZIMIN E MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË PËR TË VIJUAR PROCEDURËN E NEGOCIIMIT TË KONTRATËS SË RE, ME SHOQËRITË “GENER 2”, SH.P.K., DHE “G2 INFRA”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26, pika 9, dhe 41, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.50/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat””, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Autorizimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të vijojë procedurën e negociimit të kontratës të koncesionit/partneritetit publik privat me shoqëritë “Gener 2”, sh.p.k. dhe “G2 Infra”, sh.p.k., me qëllim ekzekutimin e vendimit nr.424 (86-2021-523), datë 29.7.2021, të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dhe, në rast se është e nevojshme, negociimin e angazhimeve detyruese në emër të shtetit, për realizimin e projektit infrastrukturor të aksit “Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar”, sipas marrëveshjes së zgjidhjes, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijon procedurat për dërgimin e studimit të ri të fizibilitetit për mendim dhe shqyrtim pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

3. Kontrata e re e koncesionit/partneritetit publik privat, si dhe çdo angazhim detyrues në emër të shtetit, pas nënshkrimit nga palët, dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.

4. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA