Grabitësit hynë në shtëpinë e këngëtares së njohur, i marrin 10 mijë euro dhe stoli ari

Këngëtares së njohur shqiptare, Adelina Berisha, i ka ndodhur e papritura.

Ditën e djeshme asaj i kanë hyrë hajdutët në shtëpinë e familjes së saj në lagjen “Velania” në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur familja kanë qenë në një festë familjare.

E kontaktuar nga Telegrafi, Berisha ka dhënë detaje mbi ngjarjen e djeshme.

“Po, është e vërtetë që hajdutët kanë thyer mbrëmë shtëpinë e familjes tonë. Ne kemi qenë në një aheng familjar në Marigonë dhe në momentin e grabitjes, asnjë person s’ka qenë në shtëpi”, tha Berisha për Telegrafin.

Më tej, ajo tregoi se i janë vjedhur para cash dhe gjëra me vlerë, teksa policia ka nisur të hetojë rastin.

“Janë vjedhur 10 mijë euro cash dhe stoli ari, por e rëndësishme është që familja ime është mirë dhe dëmi ka qenë vetëm material. Policia e Kosovës po merret me hetimin e rastit”, ka përfunduar këngëtarja.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

“Rr. Shaip Kamberi, Prishtinë 27.12.2021-19:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se persona të panjohur me force kane depërtuar në shtëpinë e saj nga e cila kanë vjedhur para të gatshme dhe disa stoli ari”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/