Zhabiaku, fotografi i VIP-ave shqiptarë: Përgjegjësi e madhe

Këtë pasdite në emisionin “Jeto me Orën”  në RTV Ora ishte i ftuar artisti i njohur, fotografi Ergys Zhabiaku.

Ai rrëfeu për jetën e tij si fotograf, që nga pasioni dhe dashuria për fotografin arriti ta kthejë në punë dhe profesion.

Ndërkohë, që tregoi për gjithë rrugëtimin e tij që nga moment kur e nisi në vitin 2007 e deri më sot, ai u ndal te puna e parë që ka bërë si fotograf.

Ai u shpreh se e kujton si një moment të sikletshëm, pasi sipas tij të fotografosh një person përveç kënaqësisë që ndjen është edhe shumë përgjegjësi.

“Fotografin si punë e kam ushtruar për herë të parë në vitin 2007. Isha në një siklet total, pasi është përgjegjësi e madhe. Është ndryshe ta shohësh fotografin për qejf dhe ndryshe kur e merr përsipër për punë. Pasi ajo çfarë mund të jetë për ty argëtuese, për dikë tjetër mund të jetë jetike. Edhe jo vetëm unë, por secili prej nesh që merret me prodhimin e imazhit duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe të moralshëm në këtë pikë. Sepse ky moment i përket dikujt tjetër. Dhe isha shumë në siklet, nuk e dija sa foto kam shkrep në atë moment. Ishte një katastrofë e vërtetë, dhe në fund kur këta dy individët e pëlqyen punën time, isha personi më i lumtur në botë”, u shpreh Ergys Zhabiaku.

Gjatë bisedës në studio, Zhabiaku u ndal edhe në ekspozitën e fundit që ka bërë “Njerëz rruge”.

“Ishte ekspozita e tretë radhazi. Kishim kaluar një vit të vështirë, hapa arkivat dhe vendosa ta quaj “njerëz rrugësh”. Ne jemi popull që e kemi kureshtjen për me e pa diçka. Në fakt secili nga ne duhet të kontribuojë për diçka, të tregojmë atë që kemi”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu komentoi fotografit e ekspozitës, teksa u ndal tek dy prej tyre, të cilat ai i vlerësonte më së shumti.

“Kam dy imazhe te kjo ekspozita që bëra, është një burrë me një rrotë makine në rrugë dhe një djalë i vogël që bën një veprim sikur po i falet asfaltit. Kur sheh portretin e atij djalit të duket sikur ai është më i fortë se ne”, u shpreh Zhabiaku.

Kujtojmë se artisti i njohur Zhabiaku ka bashkëvepruar me një sërë artistësh të njohur si, Arilena Ara, Getoar Selimi, aktori Alfred Trebicka, etj.