Balla kërkon ndjesë për “Rrogat”: Do të ndryshojmë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale

Kreu i grupit parlament i PS-së, Taulant Balla nga Fieri tha se prej disa muajsh është punuar nga ekspertët për të ndryshuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, pas skandalit me publikimin e tyre.

Sipas Ballës, përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane është domosdoshmëri dhe në javët në vijim sapo kuvendi të rifillojë punën, pasi të jetë marrë dhe opinion i qeverisë dhe KiE.

Ai tha se publikimi i të dhënave ishte përpjekje për të destabilizuar marrëdhëniet punëdhënës e punëmarrës, duke kërkuar edhe ai ndjesë si Rama.

Balla: Prej disa muajsh është punuar nga ekspertët për të ndryshuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Është moment i duhur për të ashpërsuar penalitetet ndaj kujtdo që tenton të shpërdorojë qoftë dhe duke publikuar apo vënë në rrezik marrëdhënien punëdhënës e punëmarrës. Këto të dhëna i kanë shërbyer në mënyrën më të keqe një lloj konflikti mes punëdhënësit e punëmarrësit.

Përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane është domosdoshmëri dhe në javët në vijim sapo kuvendi të rifillojë punën, pasi të jetë marrë dhe opinion i qeverisë dhe KiE. Çështja e të dhënave personale janë pjesë e kapitujve të marrëveshjes për anëtarësim që Shqipëria do të nisë të negociojë. Ishte përpjekje për të destabilizuar marrëdhëniet punëdhënës e punëmarrës dhe siç bëri kryeministri do të shprehja ndjesën kujtdo sektori që u ka krijuar problematika, kryesisht sektorit të biznesit. Të gjithë duhet të kuptojmë se këto janë problematika që kanë ndodhur në shumë vende, dhe në SHBA me të dhëna shumë më konfidenciale.