Skandali me pagat/ Çela: Shqiptarët të dalin të protestojnë, të mbrojnë interesat e tyre

Skandali me publikimin e pagave të shqiptarëve dhe targave të makinave është kthyer në një temë debati prej disa ditësh në vendin tonë.

Analisti Genti Çela në një intervistë për Ora News, është shprehur se ky është një mega-skandal, ndërsa shton se qytetarët ndihen të rrezikuar ndaj grupeve kriminale që kanë në dorë këto të dhëna.

Genti Çela: Është një mega skandal, jemi në kushtet e dorëzimit të shtetit. Ky është një intimidim i qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, të kujton patjetër kohën e pak muajve më parë kohën e patronazhistëve. Qytetarët sot ndihen të rrezikuar edhe ndaj grupeve kriminale që kanë në dorë të gjitha të dhënat e tyre.

Ai thotë se reagimi i opozitës duhet të ishte emergjent, ndërsa ka shtuar së qytetarët duhet të dalin të protestojnë në mënyrë që të mbrojnë interesat e tyre.

Genti Çela: Do duhej të kishte patjetër në mënyrë emergjente, një reagim sa më të gjerë opozitar. Çdo njeri i lirë që ka vendosur të jetoj në këtë vend, çdo njeri që i thotë vetes shqiptarë, duhet të dalë në krah të atyre që të reagojnë dhe të protestojnë përballë qeverisë, sepse në fund të fund të fundit po mbrojmë kështu interesat e gjithsecilit prej nesh. PD duhet të jetë promotor i këtyre protestave, duhet të jetë e angazhuar dhe frymëzuese çdo ditë, për të kaluar kauzat dhe për t’i çuar deri në fund.

Nuk duhet të presim vetëm reagimin e opozitës. U bën 80 vite që shqiptarët janë të trembur, të intimiduar, të kërcënuar me vendin e punës, me privatësinë e tyre, me kërcënime  të vazhdueshme nga pushteti. duhet nja bashkim i madh njerëzish të lirë, që të protestojnë pa u trembur, dhe duke përballuar kërcënimet e vazhdueshme që vijnë herë pas here, nga pushteti. Por nuk duhet të sfumojmë rolin që duhet të ketë PD.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.