'Udhëtim i shpejtë dhe i sigurt', mediat britanike: Trafikantët shqiptarë përdorin Tik-Tokun për reklamim

“Bandat kriminale po vazhdojnë që të reklamojnë në rrjetet sociale kontrabandimin e emigrantëve drejt Britanisë së Madhe.”- kështu nis artikullin media britanike, ‘The Mirror’, sipas të cilës trafikantët shqiptarë po përdorin rrjetin social “TikTok” për të komunikuar me emigrantë, kundrejt pagesës 20 mijë paund.
Në artikull theksohet se mafia shqiptare e përdor rrjetet sociale si një mënyrë për të reklamuar punën e tyre, ndërkohë që premtojnë udhëtime të sigurta.
“Udhëtimi i fundit këtë vit për të takuar Mbretëreshën në Angli. Udhëtim i sigurt brenda kokës së kamionit. 100% i sigurt. Për më shumë DM.”- thuhet në një postim që e ka publikuar media britanike.

Në një tjetër postim shkruhet se “udhëtim gati për në Angli për vetëm 24,000 paund”, gjithashtu në postimet e tyre bëjnë edhe thirrje për ti kontaktuar.
Ndërkohë pas publikimit të këtyre postimeve policia angleze kontaktoi TikTok, Facebook, Instagram, YouTube dhe Twitter për të rënë në gjurmët e këtyre grupeve kriminale.
Ministri i Emigracionit Tom Pursglove duke folur për përdorimin e rrjeteve sociale nga grupet kriminale theksoi se:
“Trafikantët e përdorin median sociale për të tërhequr, promovuar dhe përfituar nga kalimet vdekjeprurëse në drejtim të Britanisë së Madhe, por ne jemi të vendosur t’i ndalojmë"

Më shumë se 21 mijë persona u arrestuan gjatë këtij viti deri në muajin Shtator për hyrje të paligjshme në Britaninë e Madhe.

