Për festa në Shqipëri, bie fluksi pas Krishtlindjes, tamponi drejt Greqisë, pengon “turistët”

Kjo e dielë shënoi rënie të fluksit nga toka e deti që kthehen në Shqipëri për të kaluar festat e fund vitit! Në Kapshticë, numri i udhëtarëve gati u përgjysmua, ndërsa tragetet me Italinë nuk do të bëjnë më dy udhëtime në ditë! Lëvizjet pritet të shtohen në ditët e fundit të vitit.

Pas fluksit në vigjilje të Krishtlindjes, lëvizjet në pikat kufitare tokësore dhe detare shënuan rënie.

Nëse më 24 Dhjetor, nga Greqia drejt Shqipërisë hynë rreth 6000 persona vetëm në Kapshticë, në 24 orët e fundit, numri është përgjysmuar.

3311 udhëtarë e kaluan traun e Doganës në datën 25 Dhjetor.

Rënie ka shënuar edhe numri i largimeve drejt Greqisë.

Gjatë orëve të fundit kanë dalë 795 shtetas.

Nga pika kufitare e Qafë-Thanës me Maqedoninë e Veriut ndërkohë kanë hyrë 2048 dhe kanë dalë 2307 shtetas të huaj dhe shqiptarë.

Dita e Krishtlindjes krijoi volum të cilësuar normal të lëvizjeve të njerëzve e mallrave edhe në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër.

Nga Greqia hynë, 3993 persona, ndërsa 828 të tjerë e lanë Shqipërinë.

Fluksi në hyrje pritet të rritet edhe një herë në ditët e ndërrimit të viteve për shkak të kthimit të emigrantëve jetojnë e punojnë në Greqi për të festuar me familjet e tyre.

Ndërsa drejt Greqisë, para vitit të ri nuk pritet të ketë fluks, kjo për shkak të masave të forta anti kovid që ka vendosur shteti Fqinj.

Testi PCR I 72 orëve të fundit ose testi I shpejtë jo më shumë se 24 orë para udhëtimit janë kushte për të hyrë në vendin fqinj, pavarësisht nëse udhëtari është i vaksinuar.

Greqia kërkon gjithashtu edhe formularin PLF, ndërsa këto rregulla zbatohen për të gjithë të rriturit dhe fëmijët plus 5 vjeç.

Kjo e dielë shënoi rënie të fluksit edhe nga Deti.

Në Durrës tre tragetet e linjave me Italinë mbërritën rreth 2600 pasagjerë, duke mbyllur dhe rrugët e dyfishta për të përballuar lëvizjet e shtuara para krishtlindjes.