Çelësi i qelisë së Mandelës në shitje, Afrtika e Jugut kërkon anulim të ankandit: I përket popullit tonë
Afrika e Jugut ka kërkuar anulimin e një ankandi, që pritet të nxjerrë në shitje çelësin e qelisë së burgut, ku dikur ka vuajtur dënimin ish-presidenti Nelson Mandela.
I parashikuar në janar nga shtëpia e ankandit Guernsey, Nju Jork, shitësi është Christo Brand, ish-gardiani i burgut të Mandelës.
Por ministri i kulturës i Afrikës së Jugut, Nathi Mthethwa, tha se nuk kishte pasur konsultime me qeverinë.
"Ky çelës i përket popullit të Afrikës së Jugut," tha ai. “Nuk është pronë personale e askujt”, shtoi ministri.
Guernsey's thotë se ankandi i planifikuar më 28 janar është për të mbledhur fonde për një kopsht dhe muze përkujtimor për Mandelën.
Bashkë çelësin e qelisë janë nxjerrë në shitje edhe disa artikuj të tjerë, përfshirë pikturën origjinale të Mandelës “The Lighthouse”, Robben Island, si dhe biçikleta e stërvitjes që ai u lejua të përdorte në burg dhe një raketë tenisi.
Mandela, i cili është shpallur hero kombëtar në Afrikën e Jugut, kaloi 18 vite në burg në ishullin Robben. Ish-gardiani Brand më vonë u bë mik i ngushtë i tij. Ai u lirua në vitin 1990 kur Afrika e Jugut filloi të largohej nga ndarja e rreptë racore. Katër vjet më pas u zgjodh presidenti i parë me ngjyrë i vendit. Mandela shërbeu një mandat të vetëm, duke u larguar në vitin 1999. Ai vdiq në vitin 2013 në moshën 95-vjeçare.

