Presidenti kroat: Ballkani i Hapur pa Kosovën është ‘pa lidhje’

Kosova ka zgjedhur që të jetë në krah me Kroacinë për të kundërshtuar nismën “Ballkani i Hapur”, pasi sipas Vjosa Osmanit nisma është në dëm të Kosovës. I të njëjtin mendim, gjatë konferencës së përbashkët me Osmanin, ishte edhe presidenti kroat, se “Ballkani i Hapur” kërkon më shumë transparencë.

Kosova zyrtare ka preferuar që ta kundërshtojë pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” me ndihmën e Kroacisë.

Pas takimit zyrtar në Tiranë të presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrit Zaev me kreun e ekzekutivit të Tiranës Edi Rama, në Prishtinë mbërriti këtë të mërkurë presidenti kroat Zoran Milanoviç.

Ai u prit me ceremoni shtetërore, ndërsa ftesa është bërë nga homologia e tij Vjosa Osmani.

Për presidenten Osmani iniciativa e “Ballkanit të Hapur” që filloi në Novi Sad, ka shkelur dy parimet themelore të bashkëpunimit

“Kosova ka shqetësime lidhur me qëllimet që Serbia ka në këtë iniciativë. Kosova e ka bërë të qartë që alternativa e vetme është duke qenë pjesë e procesit të Berlinit. Përderisa Serbia ka rol kyç në këtë iniciativë, ne nuk mund të presim nga presidenti Vuçiç që ka qëllime të mira për Kosovën dhe rajonin, sepse vetëm militarizmi që është duke bërë, tregon për këtë”.

Në krahun tjetër, homologu kroat ka mbështetur qëndrimin e presidentes Osmani.

“Duke marrë parasysh që Kroacia është pjesë e BE-së, mund ta komentoj pak, sepse ne nuk na prek në mënyrë direkte. Nëse iniciativa ka qëllime të mira, duhet të merret parasysh. Por duhet t’i kemi të qarta cilat janë motivet e iniciativës “Ballkani i hapur”.

“Kosova është një shtet i dashur për ne dhe për mua, pa qëllimin që ta sfidoj dikë, sepse unë nuk jam këtu që ta sfidoj Beogradin ose dikë të tretë. Por, Kosova është shtet i parashikueshëm, ku funksionon një demokraci mjaft vibrante dhe e gjallë. “Ballkani i Hapur” në rast se nuk përfshin edhe Kosovën si të barabartë, atëherë” do të jetë pa lidhje” shtoi ai.

Presidenti kroat është takuar gjithashtu edhe me kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentarin Konjufca.

Faqja zyrtare e presidencës kroate ka njoftuar se ai do të vizitojë edhe trupat kroate në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, pasi presidenti Milanoviç do ta kalojë natën e Krishtlindjes me trupat kroate.