BE e prerë me Rusinë: Nëse sulmon Ukrainën, do përballet me sanksione të rrepta
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit, der Leyen paralajmëruan Rusinë nga samiti i Brukselit, se do të përballej me sanksione reale ekonomike në rast se sulmon Ukrainën.
Vendet e BE-së vijojnë të jenë në unison përballë Rusisë, lidhur me rrezikun e ndonjë pushtimi nga ana e saj, në lindje të Ukrainës.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel paralajmëroi në samitin e liderëve të BE-së në Bruksel se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës do të kishte pasoja shumë të rënda.
Bashkimi Evropian e bëri të qartë se do të vendoste sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse ajo bën një lëvizje ushtarake në Ukrainë.
Nga ana tjetër presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kujtoi se më herët BE-ja i ka bërë thirrje Rusisë që të shmangë agresionin dhe të ulë tensionet.
Megjithatë der Leyen tha se dëshiron që të ketë marrëdhënie të mirë me Moskën, por kjo do të varet nga Kremlini.
Kryekomisionerja mbështeti deklaratën e Michel në rast agresioni ndaj Ukrainës nga ana e Rusisë.
Rusia ndërkohë vazhdon të përparojë në kufirin me Ukrainën, pasi separatistët që dyshohet se mbështeten nga Moska kanë përparuar dukshëm duke mbajtur nën kontroll rajonet Ukrainase.
Kremlini i ka mohuar fuqimisht akuzat se ajo mbështet separatistët.
