Hotel në shtëpinë e Nelson Mandelës, kuzhinierja e ikonës së paqes servir ushqimet e tij të preferuara

Shtëpia ku dikur jetoi Nelson Mandela është shndërruar në një Hotel për të pritur turistë apo edhe ndjekës të ikonës globale të paqes që jetoi aty për tetë vjet. Shijet e vaktit që ai pëlqente tani serviren në restorantin e Hotelit nga kuzhinierja e tij prej 20 vitesh. Fondacioni “Mandela” që zotëron pronën, tha se Hoteli do të shërbejë edhe si një muze.

Ky hotel i ri, i vendosur në një periferi të qytetit afrikanojugor Johanesburg, dikur ishte shtëpia e Nelson Mandelës. Ikona globale e paqes jetoi këtu për tetë vjet, menjëherë pas lirimit të tij nga burgu. Këtu ai mund të shijonte kënaqësitë e thjeshta që iu mohuan për 27 vjet. Pasi u braktis nga banuesit, shtëpia u rimodelua në një hotel butik dhe tani është në pronësi të Fondacionit Mandela.

"Ne duam t'ju tregojmë anët e Madibës që nuk i keni parë më parë, dhe gjithashtu t'ju mësojmë disa gjëra që mund të mos i keni ditur. Hoteli do të shërbejë edhe si muze  për Fondacionin “Nelson Mandela”, për ekspozimin e veprave të arkivuara të artit," tha Dimitri Maritz, Drejtor i Përgjithshëm i hotelit.

Edhe pse është një ndërtesë komerciale e rinovuar, Fondacioni synoi të ruante ndjenjën e një shtëpie komode. Brenda, gjithçka është ribërë. Dhoma e gjumit e heroit anti-aparteid është tani suita presidenciale. Ushqimi luan një rol të rëndësishëm. Menuja është frymëzuar nga pjatat e preferuara të Mandelës dhe kuzhinieri  që gatoi për të për plot  njëzet vjet.

"Ai pëlqente perimet dhe fasulet, të zjera me bisht kau. Kjo ishte ajo që i pëlqente më shumë. Por i pëlqente gjithçka që i vendosnit në tryezë" u shpreh  Xoliswa Ndoyiya.

Synimi kryesor është që vizitorët të shijojnë qëndrimin e tyre në paqe dhe qetësi ashtu siç do ta shijonin në çdo hotel tjetër. Dhe nëse duan të dinë për Mandelën, stafi është i lumtur t’ju flasë për gjithçka duan të dëgjojnë. Hoteli është menduar si një mënyrë për të financuar ruajtjen e trashëgimisë së Mandelës, shpjegon menaxheri Dimitri Maritz.