Vrasja e Jurgen Dukës, Fishta: Është rritur niveli i stresit tek efektivët, kanë mbingarkesë social-ekonomike
Jurgen Duka mbeti i vrarë më 13 dhjetor brenda një marketi në Tiranë, ku autor i ngjarjes dyshohet se agjenti i krimeve në policinë e Dibrës Arbër Sula.
Ndërkohë kreu i Sindikatës së Policisë Sadetin Fishta, në një intervistë për Ora News, është shprehur se është një ngjarje e rëndë, ndërsa ka shtuar se kohët e fundit në radhët e policisë niveli i rekrutimit ka rënë.
Sadetin Fishta: Është një krim i rëndë. Policia e shtetit ka 30 vite që ka kaluar tranzicion pas tranzicioni në radhët e policisë. Brenda strukturës së policisë rekrutohen një numër i madh punonjësish. Kohët e fundit niveli i rekrutimit ka rënë. Edhe rekrutët që po vijnë nuk janë në nivelin që duhet për t’iu përgjigjur këtyre situatave që nesër të jetë një punonjës policie i formuar prefesional. Një nga shkaqet është rekrutimi i policisë.
Po ashtu ai shprehet se niveli i stresit tek policët është i lartë dhe sipas tij, duke qenë në këto kushte, vetë oficeri i policisë bën shkelje ligji.
Po ashtu ai thotë se efektivët e policisë kanë mbingarkesë për shkak të Covid-19, por edhe kushteve social-ekonomike.
Sadetin Fishta: Niveli i stresit tek forcat e policisë është jashtëzakonisht i lartë. Punonjësi i policisë duke qenë në kushte stresante, nga njëra anë e mbron ligjin por në anën e tjetër mund t’I kalojë dhe kufijtë e kërkesës për zbatimin e ligjit. Punonjësi i policisë është objekt dhe subjekt ndaj zbatimit të ligjit. Ka ngarkesë në punë sepse ka raste që punonjësit e policisë punojnë edhe mbi 10 orë punë. Kjo ndodh për shkak të situatave që ndodhin. Policia ka pasur mbingarkesa edhe për shkak të Covid-19. Arsye të tjera janë edhe arsyet sociale ekonomike. Ne kemi një polici që është më pak e paguar se të gjithë vendet e tjera. Ka që në 2014 që punonjësit të policisë që nuk i është shtuar rroga.
