“Na gjen dot ca njerëz për Bashën? S’ka rëndësi a janë të PD” Publikohen SMS: Si po mblidhen njerëzit për Kuvendin e 18 dhjetorit
Deputeti demokrat Edmond Spaho, ditën e sotme ka publikuar disa mesazhe, ku një person i kërkon një personi tjetër që mesa duket është pjesë e PD, që të mbledhin sa më shumë njerëz për Kuvendin e datës 18 dhjetor.
Spaho në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, krahas fotos ku shihen mesazhet mes dy personave, shkruan se Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi po manipulojnë njerëzit për të marrë pjesë në atë që deputeti e konsideron anti-kuvend.
“Ja si po manipulon pjesmarrjen ne antikuvend Lulzim Basha me Gazmend Bardhin”, shkruan Spaho dhe publikon mesazhin.
Mesazhet:
Dërguesi i mesazhit: Pasnesër te Pallati i Kongrese në mbështetje të Lul Bashës. Bëjmë dot ca persona. Të jenë prezent.
Delegat i PD: Çfarë personash? Në përgjithësi apo të PD-së.
Dërguesi i mesazhit: Përgjithësi. S’ka problem. S’na prish punë të jenë të PD apo jo.
Delegat i PD: Sa veta duhen afërsisht vëlla që të bisedojmë?
Dërguesi i mesazhit: Të paktën 5 persona.

Nesër në Tiranë do të mbahet Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha. Ky është Kuvendi i dytë i PD pasi një javë më parë, më 11 dhjetor, u mbajt një i thirrur nga Sali Berisha, ku u miratua statuti i ri, logo dhe vula e re e PD dhe u shkarkua kryetari Lulzim Basha.
