“Lufta” e dekreteve në 2021, 28 nisma të mazhorancës u kthyen për rishqyrtim nga Meta

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar përballje të forta me mazhorancën gjatë këtij viti pasi ka kundërshtuar 28 herë në mënyrë institucionale Kryeministrin Edi Rama. Me dekrete, kreu i Shtetit ka kthyer për rishqyrtim dhjetëra nisma ligjore të mazhorancës duke nisur që nga taksat, ndryshimet në sistemin e drejtësisë dhe duke e mbyllur me buxhetin e vitit 2022.

Viti 2021nuk ka qenë i lehtë për Presidentin Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama, jo vetëm për raportet njerëzore por edhe ato instiucionale.

Përgjatë 12 muajve zyra e Kreut të shtetit nuk ka dekretuar plot 28 nisma të mazhorancës duke i kthyer ato për rishqyrtim në Parlament.

Pakënaqësinë ligjore Ilir Meta e nisi që në mes të janarit kur ktheu dy ligje të miratuara nga PS dhe deputetët e opozitës, për taksat kombëtare dhe tarifat doganore.

Ndërsa piku i dekreteve lidhet me muajin prill, kur u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare.

Akuzat ndërmjet Ilir Metës dhe Edi Ramës nuk u ndalen vetëm tek ato politike, por Presidenti e kundërshtoi ish-aleatin e tij me 8 dekrete.

Nisma ligjore të PS të cilat kishin lidhje me sistemin e drejtësisë, Kreu i Shtetit i ktheu pas me argumentin se mazhoranca kërkonte të merrte nën kontroll pushtetin gjyqësor nëpërmjet votave të deputetëve të opozitës që nuk kishin djegur mandatin apo të tjerët që zunë vendet e përfaqësuesve të PD dhe LSI-së pasi lanë karriget e tyre në Parlament.

Pasi zgjedhjet e 25 prilli përfunduan dhe PS mori mandatin e tretë, Parlamenti shkarkoi me votë Kreun e Shtetit ndërsa 4 muaj më pas Presidenti Ilir Meta fuqinë e dekretit e përdori për të miratuar qeverinë e re të Edi Ramës.

Në muajin e fundit të viti, Kreu i Shtetit i riktheu në Parlament 3 nisma të qeverisë, më i rëndësishmi ai për buxhetin e vitit 2022, të cilin e cilësoi si antisocial dhe jo transparent.