Vetingu "shtyhet" për vitin 2022, mazhoranca do rrëzojë dekretet e Presidentit për buxhetin dhe ligjin e bashkëqeverisjes
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka bërë me dije se shtyrja e afatit të vettingut, nuk do të votohet këtë vit, por mund të shtyhet për vitin e ardhshëm, pasi janë ende në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias.
Ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe Kryeministri Rama, dekretet e Presidentit për buxhetin e 2022 dhe ligjit të bashkëqeverisjes do të rrëzohen nga mazhoranca. Për kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, sjellja e kreut te Shtetit ndaj nismave qeveritare nuk përbën më surprizë.
"Tashmë u kthye pak në normë për fat të keq që Presidenti kthen ligje të rëndësishme," tha Nikolla.
Organet e vettingut duhet te presin vitin e ardhshëm për zgjatjen e mandatit të tyre, shkak për këtë vonesë mbetet Opinioni i Venecias dhe vota e demokratëve.
"Ne jemi në pritje të përgjigjes zyrtare të Komisionit të Venecias, unë do të bëj sa mundem për të bërë të mundur dialogun e nevojshëm mes grupeve parlamentare," tha ajo.
Edhe pse në vonesë, Kryetarja e Kuvendit, e k cilësuar si të papranueshëm qëndrimin e socialistit Bujar Çela ndaj ish diktatorit Enver Hoxha.
"Është e papranueshmë që një deputet i Kuvendit të Shqipërisë të përdorë të tilla situata në një ditë feste. Ka një kërkesë për tu parë nga komisioni i Etikës," tha Nikolla
Kryetarja e Kuvendit ende nuk ka marrë asnjë kërkesë nga PD për të zëvendësuar në komisione deputetët e shkarkuar nga Këshilli Kombëtar.
