Bora 80 cm në Shkodër, probleme me lëvizjet e makinave
Trashësia e dëborës i kalon 80 cm dhe udhëtimi drejt Thethit dhe Vermoshit është i vështirë edhe pse reshjet kanë pushuar
Për hapjen e tyre janë angazhuar 2 borëpastruese të vendosura nga autoriteti rrugor, i cili sivjet ka marrë në juridiksion dy akset malore.
Megjithëse u shpresua që situata të ishte ndryshe, as këtë dimër dy zonat turistike duket se nuk do t’i shpëtojnë bllokimeve sa herë ka reshje dëbore.
"Kemi bërë të mundur që të paktën lëvizja e automjeteve në funksion të turizmit të jetë tepër e reduktuar, për shkak edhe të riskut që mund të ketë kjo zonë."
Sikur të mos mjaftonte vështirësia në qarkullimin rrugor, fshatrat e Vermoshit e Lepushës turistike janë pa energji elektrike.
Grupet e OSHEE do të asistohen me fadroma të larta për riparimin e defekteve, pasi rruga e bllokuar ka paralizuar çdo gjë.
"Kemi rreth 100 abonentë të cilët janë pa drita këto ditë, për shkak të motit të keq edhe të pamundësisë për të ndërhyrë."
Edhe në rrethin e Pukës janë shfaqur probleme në zonën e Iballës, si dhe në Qafë Mali të bashkisë Fushë Arrëz.

