Shkarkimi i Bashës si kryetar i PD, Belind Këlliçit i besohet referendumi, Berisha akuzon Bashën: Mblodhi kartat e anëtarësisë
Komisioni që drejtoi punimet për Kuvendin e PD me 11 dhjetor e ka kaluar me sukses provën pasi të njëjtit i është besuar dhe organizimi i referendumit për certifikimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD.
Berisha: Kjo javë revolucioni ka për detyrë kryesore referendumin e anëtarësisë për ratifikimin e vendimit të Kuvendit të partisë të shkarkimit të peng Bashës apo deputetit Basha. Kjo është fleta. Një komision u miratua sot këtu për të drejtuar referendumin bazuar në punën e shkëlqyer që bëri komisioni i drejtimit të Kuvendit, po atij komisioni ju besua drejtimi i referendumit. Do të bëjmë gjithçka që të afrojmë sa më shumë kutitë e votimit me anëtarësinë.
Në përfundim të mbledhjes, Sali Berisha akuzoi Bashën për krim elektoral.
Sipas tij ai u ka mbledhur kartat anëtarësisë për të penguar votimin por siguroi se të gjithë do të mund të votojnë.
Berisha: Ish-kryetari Basha ka kryer akte në PD-në që ngjiten në nivelin e krimit elektoral. Ka informuar anëtarësinë të paraqiten me karta. U ka mbledhur kartat dhe nuk ua ka kthyer. Është plaçkitje, akt në nivelin e krimit elektoral. Ju garantoj se të gjithë do të votojnë. Duket e dinte se gjykatësi do ta kërkonte sërish për ato që e ka bërë. Ndryshe një vendim të tillë nuk mund ta merrte kurrë.

