“Dritan Leli po dëmton biznesin”, Vasil Bedinaj: Bashkia e Vlorës shkëputi marrëdhëniet me operatorët

Ish-kreu i operatorëve turistikë të jugut, Vasil Bedinaj, i cili dha dorëheqje pak ditë më parë ka hedhur akuza të forta ndaj kryetarit të bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Sipas përfaqësuesit të biznesit, Bashkia ka shkëputur çdo marrëdhënie me biznesin, ndërsa barra po bie mbi ekonominë e qytetit. Nëse kjo situatë nuk zgjidhet ai paralajmëron protesta.

 "Uroj që bashkia të hyjë në rrugën e duhur, përplasjet politike dhe klanet nuk mund të jenë në dëm të qytetit".

Kreu i operatorëve turistikë të jugut, Vasil Bedinaj, ka dhënë dorëheqjen duke theksuar se shkak për vendimin e tij është shkëputja e çdo marrëdhënie të pushtetit vendor drejtuar nga Dritan Leli me biznesin, i cili është motorri kryesor i ekonomisë lokale .

Bedinaj vë në dukje se përplasjet politike e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë të dëmtojnë industrinë e turizmit në jug të vendit.

"Po bëhet një vit që kemi humbur lidhjet apo jemi ndarë në disa segmente që nuk po bashkohemi në të njëjtën rrugë."

Ai kësaj situate i ka paraprirë me dorëheqjen e tij, por thotë se akte të tilla duhet të ndodhin edhe në politikë për ti hapur rrugë rigjenerimit të jetës ekonomike.

"Ka ardhur ora dhe momnenti që edhe të tjerë duhet të largohen nga drejtimi i disa institucioneve sepse nuk mund të mbajnë pozicionin e kryetarëve, drejtuesve apo drejtorëve kur nuk i japin atij qyteti."

Bedinaj akuzon Bashkinë se në mënyrë arbitrare po e rëndon biznesin me rritje taksash pa konsultim.

"E quajmë të pamoralshme dhe të pasaktë këtë veprim. Nuk jemi kundër rritjes së taksës së pastrimit por çfarë i kushton administratës të mbledhë grupin e interesit dhe të shpjegojë sa e ka pasur buxhetin, sa duhet ta ketë, sa janë shpenzimet e etj."

Ish-kreu i operatorëve turistikë të jugut paralajmëron se në qoftë se kjo situatë nuk do të ndryshojë, operatorët e biznesit do të fillojnë protestat.