Gjendet pa jetë 27-vjeçari sirian në malin e Moravës, dyshohet se ka vdekur nga i ftohti

Një shtetas 27-vjeçar është gjetur mbrëmjen e sotme pa shenja jete në malin e Moravës.

Burime konfirmojnë se shtetasi është emigrant sirian, rreth 27 vjeç.

Paraprakisht dyshohet se viktima ka ndërruar jetë për shkak të temperaturave të ulta dhe borës, gjatë ecjes së tij në këmbë për të kaluar nëpërmjet shtigjeve.

Burime bëjnë me dije se trupi i pajetë është gjetur mbi fshatin Dishnicë çka tregon se edhe për Uniformat Blu shtetasit sirianë të ardhur nga Greqia kanë përdorur një shteg të kalimit nga fshatrat e Devollit nëpër varg malin e Moravës për të ardhur në fshatin Dishnicë e më pas për të kaluar nga Korça në drejtim të kryeqytetit.

"Më datë 08.12.2021, rreth orës 21:30, në zonën e Malit Moravë, mbi fshatin Dishnicë, Korçë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe Forcat Speciale "Shqiponjat", është gjetur i pajetë, pa shenja dhune, një shtetas ende i paidentifikuar, i cili dyshohet të jetë nga Lindja e Mesme." - njofton policia. 

Policia nuk bën me dije personat e tjerë më të cilët ka qenë i shoqëruar 27-vjeçari sirian, por ajo çfarë mësohet është se policia është lajmëruar nga bashkëkombas të tij me të cilët viktima ka udhëtuar nëpër borë në shtigje të panjohura për ta.

Shtetasit sirianë që vijnë nga Greqia në drejtim të vendit tonë përdorin shtigje të shumta nga Dardha deri në Kapshticë.

Çdo ditë mësohet nga Policia jonë kufitare dhe Frontex kapen nga 40-60 shtetas të huaj.

Policia në vendngjarje, ndërkohë që pritet ekspertiza nga mjekësia ligjore lidhur me rastin.