Psikologia Almeida Xhaferi: Ti nxisim fëmijët të kenë kontakt me realitetin

Personazhet “heronj” janë shumë të pranishëm tek fëmijët, të cilët më shumë ndihen dhe shfaqen gjatë sezonit të festive për ata. Një ndër më të preferuarit në këtë sezon festash të fundvitit është edhe babagjyshi.

Këta personazhe janë realë apo jo në sytë e fëmijëve, dhe si shihen këta personazhe tek ata, ishin të ftuar këtë pasdite në RTV Ora emisionin “Jeto me Orën”, Almeida Xhaferi  psikologe, Elona Shehu pedagoge dhe në lidhje “Skype”  Egla Harxhi arkitekte.

Almeida Xhaferi u shpreh se heronjtë tek fëmijët janë shumë të pranishëm, saqë ata fillojnë të imitojnë sjelljet e tyre, por sipas saj është shumë e rëndësishme që prindërit duhet t’u shpjegojnë atyre sjelljen e këtyre personazheve.

“Kur fëmijët shohin super-heronj si Batman, Spiderman, etj. Ajo që unë do të thosha është se ata nuk ndalen dhe të kuptojnë sjelljen e tyre për shkak të rrethanave ku ndodhen, por ata fiksojnë vetëm veprimet e tyre agresore dhe vazhdojnë t’i imitojnë ata. Në këtë mënyrë prindërit duhet të ndërhyjnë dhe të shpjegojnë situatën e tyre”, u shpreh Xhaferi.

 

Gjithashtu edhe pedagogia Elona Shehu, theksoi se personazhet heronjë duhet të analizohen dhe të shpjegohen tek fëmijët nga prindërit, për situatat dhe skenat në të cilat ata përballen në role të ndryshme. “Unë mendoj se këto personazhe fëmijët t’i ndjekin me prindërit në mënyrë që të marrin mesazhin e asaj Çfarë ndodh”.

Ndërsa Egla Harxhi në një lidhje “Skype” u shpreh se mundohet t’ua shpjegojë fëmijëve personazhet heronj vizatimorë, duke pasur parasysh kohën kur ka qenë vetë fëmijë.

“Sot jetojmë në një kohë që kemi shumë personazhe dhe heronj për fëmijë, ndryshe nga Çfarë  ishte në kohën tonë më përpara. Fabulat sot janë shumë të thjeshtuara, krahasuar me përrallat që jemi rritur ne. Unë jam munduar t’a shoh fenomenin e “heronjve” krahasuar me atë që jam rritur vetë, që t’a shpjegoj më pas tek fëmijët.”, u shpreh Egla Harxhi.