A po shkon bota drejt dozës së katërt?

Drejtori ekzekutiv i kompanisë farmaceutike të vaksinave, Pfizer, Alber Bourla ka deklaruar për mediet amerikane se mund të nevojitet një dozë e katërt për tu mbrojtur nga varianti i ri i koronavirusit, Omicron.

Bourla tha se po pret të dhëna në kohë reale për të përcaktuar nëse doza e tretë e vaksinës është efektive ndaj variantit afrikano-jugor.

Shefi i kompanisë Pfizer tha se të dhënat mund të jenë gati në dy ose tre javët e ardhshme.

Të mërkurën, Pfizer publikoi të dhënat e një studimi laboratorik që nxori në pah se dy doza të vaksinës ishin më pak efektive ndaj Omicronit, ndërsa doza e tretë ofronte mbrojtje më të ndjeshme.

Gjetjet u bazuan në rezultatet e një studimi të kryer nga mjekët në Afrikën e Jugut në fillim të kësaj jave.

Shefi ekzekutiv i Pfizer përmendi se doza e katërt e vaksinës duhet të merret rreth një vit pasi individi ka injektuar dozën e tretë.

Po përpara se të shkojmë te doza e katërt tha Albert Bourla, po vlerësojmë nëse mund të modifikojmë vaksinën aktuale për të ofruar mbrojtje ndaj variantit Omicon ose varianteve të tjera që mund të dalin.