Plotësohet kabineti i semaforëve në Gjermani, këta janë 17 anëtarët e qeverisë Scholz

Tashmë janë përcaktuar të gjithë ministrat që do të qeverisin Gjermaninë për katër vitet e ardhshme. Olaf Scholz do të jetë kancelari i ardhshëm i Republikës Federale. Zgjedhja e tij si kancelar i 9-të i Republikës Federale është planifikuar për të mërkurën. Ai do të jetë kancelari i katërt nga radhët e SPD-së pas Willy Brandt, Helmut Schmidt dhe Gerhard Schröder. Kabineti do të betohet në të njëjtën ditë.

SPD është e fundit nga tre partitë e "semaforit" që ka emëruar ministrat e saj për qeverinë e ardhshme.

Karl Lauterbach e merr postin nga politikani i CDU-së, Jens Spahn. Lauterbachu tha se do ta fitojë betejën kundër pandemisë Corona. Ai premtoi edhe fuqizim të sistemit shëndetësor.

Ministri Federal i Shëndetësisë në detyrë, Jens Spahn, përgëzoi pasardhësin e tij të caktuar, Karl Lauterbach.

Ministrja e Brendshme do të jetë Nancy Faeser, kryetare e socialdemokratëve për landin federal të Hessen-it. Ministër i Punës mbetet ministri aktual Hubertus Heil. Ministrja aktuale e Drejtësisë, Christine Lambrecht merr Ministrinë e Mbrojtjes.

Portofolin e Ndërtimit dhe Banimit e merr Klara Geywitz, deputete e parlamentit të landit të Brandenburgut. Së bashku me Geywitz-in, Scholz-i kandidoi para dy vjetësh pa sukses për të kryesuar partinë socialdemokrate gjermane, SPD.

Ministrja e deritashme Federale e Mjedisit, Svenja Schulze do të drejtojë Ministrinë e Zhvillimit. Shefi i ri i Kancelarisë Federale është i besuari i Scholz-it, Wolfgang Schmidt.

Pasdite, të Gjelbrit duan të shpallin vendimin e tyre për marrëveshjen e koalicionit qeveritar. SPD dhe FDP kanë rënë dakord tashmë për të në fundjavë.

SPD është e fundit nga tre partitë e semaforit, që i shpall emrat e ministrave të saj. Scholz-i theksoi se e konsideronte të drejtë që SPD duhet të dërgonte katër femra dhe tre meshkuj në qeverinë e ardhshme. Gjysma e popullsisë përbëhet nga gra. Prandaj atyre duhet t'u jepet edhe gjysma e pushtetit.