Artan Lame shpërndan legalizimet në Ardenicë: Mos jepni para për tapitë! Jo çdo gjë zgjidhet me lekë
Kreu i Agjencisë së Kadastrës u ka kërkuar qytetarëve që të mos japin para nën dorë për të marrë lejet e legalizimeve. Nga Ardenica ku ka shpërndarë edhe tapitë e banesave, Artan Lame nënvizoi faktin se pas këtij procesi dot të vijojnë me verifikimin e tokave bujqësore.
Pas 30 viteve zyrave të shtetit banorët e Ardenicës janë pajisur me tapitë e shtëpive. Ka qenë vetë shefi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame, i cili ua ka dorëzuar certifikatat e pronësisë.
Duke e ditur fenomenin e korrupsionit në administratë, Lame u kërkoi banorëve që të mos paguajnë nën dorë për një shërbim që ato duhet ta marrin vetëm sipas ligjit.
"Aman hapini derën punonjësve tanë, thojani gjithë këto gjërat kështu. Histori lekësh nuk dua të dëgjoj, jo çdo gjë zgjidhet me lekë," tha Lame.
Por duke ecur nëpër fshat, shefi i Kadastrës mësoi se përveç mungesës së legalizimeve, zona ka probleme edhe me shpërndarjen e tokave bujqësore.
"Problemin më të madh që është regjistrimi i tokës bujqësore dhe i problemit që mbart. Kam frikë se duhet t'i hyjmë përmirësim përditësimi të gjithë zonës kadastrale me grup pune, me urdhër pune, do vihet këtu, do kontrollohen një për një," tha ai.
Banorët e kësaj zonë nxorën në pah një problem që haset në të gjithë vendin, përplasjen me njëri-tjetrin për pronën, dhe shkak për këtë është bërë edhe mungesa e dokumenteve të pronësisë.
