Laçi super, fundos Dinamon me “manita”. Shkëmbi në telashe

Edhe një barazim do të ishte rezultat i mire deklaroi Bledi Shkëmbi një ditë më pare para sfidës me Laçin pasi i trembej formës pozitive të kurbinasve por në fakt Dinamo humbet thellë.

5-0 përfundon takimi në favor të Laçit që shkëlqen në shtëpi dhe rikthehet te fitorja pas asaj disfate me Vllazninë.

Ishte Laçi që menjëherë gjeti avantazhin në 6’ me Guindo që shfrytëzoi një gafë të Imamit për të ndëshkuar kryeqytetasit.

Dinamo reagon me Ibraimin por më pranë golit sërish janë vendasit me Mazrekajn.

Me të nisur pjesa e dytë, sërish Laçi shënon të dytin me Zarubicën në 54’ me gjuajtjen e tij që devijohet nga Imami.

Dinamo duket e shokuar dhe nuk arrin të reagojë shumë teksa 6 minuta më pas Julian Shehu vulos edhe sfidën.

Pësimi i këtij goli sikur shpërbën Dinamon në fushë dhe kurbinasit përfitojnë për të shënuar edhe dy herë të tjera me Guindo në 73’ dhe Lushjkën në 76’.

E gjithë sfida mbyllet me këtë rezultat të thellë 5-0 që Laçit i jep shumë frymëmarrje por vë në vështirësi të mëdha Dinamon e mbi të gjitha trajnerin Bledi Shkëmbi./Ora News/.