Nis turneu i përfaqësueseve rajonale, Mema: Zgjedhim më të mirë për ekipet kombëtare
Më 6 dhjetor 2021 do të nisë turneu i përfaqësueseve rajonale që organizohet nga FSHF për moshat U-13, U-14 dhe U-15. Ky turne do të mbledhë të gjitha ekipet rajonale të këtyre tre grup-moshave nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha dhe Gjirokastra që do të thotë se të gjithë të rinjtë me perspektivë dhe deshirë për të treguar talentin mund ta bëjnë në këtë event.
Në një intervistë për kanalin zyrtar të FSHF-së, specialisti i Departamentit të Ekipeve Kombëtare, Sulejman Mema zbulon edhe objektivin e madh të këtij turneu.
“Ky turne ka vite që zhvillohet dhe ky vit jo se ka filluar ndryshe, por metodika e stërvitjes duhet të jetë më ndryshe. I kemi dhënë edhe udhëzimet e duhura, si ato duhet të veprojnë te stërvitjet. Kemi marrë pjesë te disa seleksionime, ku kanë qenë të pranishëm edhe trajnerët e ekipeve Kombëtare. Mundohemi të marrim më të mirët në seleksionime, ku dhe puna kualitative e trajnerëve do të bëjë të mundur që njëherë në javë që ato stërviten, duke evidentuar futbollistët më të mirë do të vlejë për turneun rajonal që do të vlejë nga data 6 e deri më 16 dhjetor. Përveç aktivitetit rajonal dhe kombëtar që ato kanë, ku ne i vëzhgojmë, mendoj që ky turne është i vlefshëm sepse trajnerët e ekipeve kombëtare shikojnë fazën përfundimtare te turneu rajonal, aty ku zgjidhen elementet më të mirë, ku përveç se i zgjedhin janë në vëzhgim edhe pjesa tjetër që nuk shikohen gjatë gjithë kohës nga trajnerët për të zgjedhur elementet më të mirë që janë të domosdoshëm për ekipin kombëtar. Deri në fund të sezonit, mendoj nga muaji maj është edhe turneu i dytë, që zhvillohet mes rajoneve, 8 rajoneve që ne kemi, që janë të evidentuara tani, si zona e Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Lezhës, Tiranës, Gjirokastrës, që është një zonë e re që ka dy vite që funksionon, zona e Fierit, bashkë me Vlorën, që së bashku këto me dy grupe ku një zhvillohet në Fier dhe një në Tiranë arrijmë deri në fazën finale, që zhvillohet në Tiranë”, përfundoi Sulejman Mema./Ora News/.
