Brdariç: Të shfrytëzojmë krizën e Teutës. Dua një fitore, nuk ka dy pa tre

Vllaznia do të tentojë fitoren e tretë radhazi për herë të parë këtë sezon në Superiore. Të Premten shkodranët do ta shikojnë veten përballë Teutës në “Elbasan Arena” dhe për trajnerin Brdariç vlen shumë nje fitore për më tepër duke parë edhe situatën te durrsakët që kanë ndryshuar trajner.

“Kemi bërë dy fitore dhe në të gjithë botën vlen shprehja nuk ka dy pa tre, ndaj do të ishte shumë bukur të merrnim një tjetër sukses përballë Teutës. Unë nuk mendoj për rezultatin, por për mënyrën si do të përgatitim ndeshjen dhe me çfarë përqendrimi do të zbresim në fushë. Teuta po kalon një moment të vështirë, por mbetet një skuadër shumë e fortë, që mund të nxjerrë fytyrën e vërtetë nga momenti në moment. Gjithsesi duhet ta vlerësojmë maksimalisht takimin dhe të shfrytëzojmë edhe momentin negativ të tyre, për të marrë një tjetër fitore që do të na ngjiste akoma edhe më lart”.

Për trajnerin Brdariç, një fakt tjetër pozitiv do të jetë ai i zhvillimit të kësaj sfide në “Elbasan Arena”, një terren që sipas tij ndihmon skuadrën të shprehet më mirë në fushë. Ai pranoi që skuadra ka cilësi që mund ta ndryshojnë fatin e ndeshjes në çdo moment.

“Kemi kualitete në skuadër, për të vendosur ndeshje, pasi njëherë ka bërë mirë Aralica, njëherë tjetër Da Silva, apo Hoxhaj, megjithatë ne punojmë çdo ditë për të vënë theksin te grupi, pasi vetëm kështu mund të ecim përpara. Sigurisht që cilësitë individuale janë të mirëpritura, pro primar mbetet grupi. Më vjen mirë që do të luajmë në një terren si ai i “Elbasan Arenës”, pasi mund të shprehim më mirë cilësitë tona dhe besoj se të gjithë lojtarët janë gati për të përballuar këtë 90-minutësh”, deklaroi trajneri gjerman./Ora News/.