Video/ Interi nuk ndalet, dominon Spezian dhe Manaj. Humbet Roma

Interi i Inzaghit vijon të bëjë paraqitje pozitive dhe të shkëlqejë edhe me lojë. Zikaltërit luajtën ndeshjen e radhësh ndaj Spezias në “San Siro” ku për miqtë, Rey Manaj luajti titullar për herë të pare këtë sezon.

Edhe pse trajneri Inzaghi kishte bërë disa ndryshime në formacion duke lënë pushim disa titullarë, zikaltërit dominuan me lojë në çdo moment madje shpërdoruan shumë raste teksa Handanoviç vetëm njëherë u vu seriozisht në provë.

Në pjesën e pare ishte Gagliardini që shënoi në 36’ për t’i dhënë avantazhin skuadrës ndërsa vulosi rezultatin 2-0 Lautaro Martinez me penallti në 58’. Me këtë fitore Interi është për momentin një pike më pas se Napoli kryesues.

Luajti gjithashtu edhe Roma e angazhuar në transfertën me Bolognan me ekipin e Mihajloviç që arriti të ndalte verdhekuqtë në një ndeshje me shumë tension dhe emocione.

Vendasit fituan 1-0 me një gol që e vendosi Svanberg në minutën e 35’ dhe me gjithë tentativat nga skuadra e Mourinhos, rezultati nuk ndryshoi. Marash Kumbulla ishte sërish në stol dhe nuk u aktivizua./Ora News/.