Furtunë diplomatike Kinë-Japoni, Abe: Kujdes me Tajvanin! Pekini thërret urgjent ambasadorin

Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe ka shkaktuar një furtunë diplomatike mes Kinës dhe Japonisë me deklaratat e tij. Ai kërkoi që Kina të mos ec në rrugë të gabuar me Tajvanin, pasi amerikanët dhe japonezët nuk do të rrinë duarkryq, sipas tij. Kinezët ndërkaq i kanë cilësuar të papranueshme dhe të pacipa këto deklarata.

Ishulli i Tajvanit është kthyer në një mollë sherri mes Amerikës dhe Kinës. Së fundmi, pjesë e këtij debati janë bërë edhe japonezët.

Deklarata e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe se kinezët duhet të kenë kujdes me Tajvanin se as amerikanët, as japonezët nuk do të qëndrojnë neutral, ka sjellë reagimin e ministrisë së Jashtme kineze.

Ministria e Jashtme e Kinës thirri ambasadorin e Japonisë në Pekin për një "takim urgjent". Zëvendësministri i Jashtëm kinez Hua Chunying i quajti komentet e ish-kryeministrit japonez si "të gabuara" dhe shkelje të normave bazë të marrëdhënieve midis Kinës dhe Japonisë.

Në deklaratën e tyre, ministria e Jashtme e Kinës thotë se komentet e Shinzo Abes "sfiduan hapur sovranitetin e Kinës dhe i dhanë mbështetje të pacipë forcave pro pavarësisë së Tajvanit".

 “Aventura ushtarake kineze në Tajvan do të çonte në vetëvrasje ekonomike për Kinën”, tha politikani japonez gjatë një fjalimi virtual në një institut të studimeve politike në Tajvan.

Një pushtim kinez i Tajvanit, sipas Shinzo Abes, do të përbënte një kërcënim të rëndësishëm për Japoninë dhe për këtë arsye "një urgjencë për aleancën Japoni-SHBA", tha ai.

"Politikanët në Pekin, veçanërisht presidenti Xi Jinping, nuk duhet të kenë kurrë ndonjë keqkuptim për këtë situatë.” – ishte mesazhi i politikanit japonez.

Ndërkohë, Tokio zyrtare njoftoi se Japonia nuk ishte dakord me veprimin e Kinës për takimin urgjent në ministrinë e Jashtme, pasi qeveria japoneze nuk mund komentonte vërejtjet e bëra nga politikanë që nuk ishin në qeveri.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar edhe përdorimin e forcës për të marrë kontrollin e ishullit. Amerikanët ndërkohë janë kundër kësaj politike dhe kanë thënë se janë në mbrojtje të Tajvanit.