Ndotja me plastikë nëpër oqeane, ShBA kryeson listën, ndiqet nga Britania dhe Koreja e jugut
Shpejtësia e ndotjes së oqeaneve me plastikë është e frikshme, sipas raportit të fundit të nxjerrë nga Agjencia amerikane e Shkencës. Studiuesit kërkojnë marrjen e menjëhershme të masave, ndërsa radhisin Amerikën, Britaninë dhe Korenë e jugut sit re ndotësit më të mëdhenj në botë me plastikë.
Ndotja e oqeaneve dhe natyrës me plastikë ka marrë vëmendje gjithnjë e më të madhe nga ambjentalistët. Duhen shekuj të tërë që mbetjet plastike të dekompozohen vetë në ambjentet ujore apo tokësore, ndaj shqetësimi është gjithnjë e më shumë në rritje.
Organizata të shumta punojnë për ndërgjegjësimin e qytetarëve që të përdorin sa më pak plastikë, ndërsa shumë supermarkete nëpër vendet perëndimore i kanë hequr qeset plastike fare nga qarkullimi.
Sipas një raporti të publikuar nga Agjencia amerikane për shkencën, Shtetet e Bashkuara janë deri më tani kontribuuesi më i madh i mbetjeve plastike në botë.
Raporti iu dorëzua qeverisë federale të mërkurën, ndërsa bën thirrje për një strategji kombëtare për të trajtuar krizën në rritje të mbetjeve plastike.
Sipas studiuesve, SHBA kishte rreth 42 milionë tonë mbetje plastike në vitin 2016 –dy herë më shumë se Kina dhe më shumë se vendet e Bashkimit Evropian të marra së bashku.
Mesatarisht, çdo amerikan gjeneron 130 kilogramë mbetje plastike në vit, sipas studimit. Amerika ndiqet në vend të dytë nga Britania me 99 kilogramë për person në vit, e më pas nga Koreja e Jugut me 88 kilogramë në vit.
Më herët Kongresi amerikan ka kaluar një ligj si pjesë e nismës për Shpëtimin e Deteve, ku, pas këtij raporti, shkencëtarët amerikanë kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme.
Prodhimi global i plastikës është rritur nga 20 milionë tonë në vitin 1966 në 381 milion tonë në vitin 2015. Pra, me një rritje thuajse 20-fish gjatë gjysmë shekulli, thuhet në raport.
Hulumtimet shkencore kanë treguar se jeta detare është tejet e rreikuar nga mikroplastika, ku më vonë, këto gjallesa mund të përfundojnë në pjatën e qytetarëve në shtëpi apo restorante.
Raporti thotë se rreth 8 milion ton mbetje mbetje plastike çdo vit janë të barazvlefshme me hedhjen e një kamioni mbeturinash në oqean çdo minutë.