Programi bërthamor, Irani kërkon heqjen e sanksioneve amerikane
Fuqitë e Mëdha botërore dhe Irani ndodhen në Vjenë prej katër ditësh, ku po zhvillojnë negociata për programin bërthamor të këtij të fundit. Irani paraqiti këtë të enjte dy propozime, ndërkohë që Izraeli kërkon ndërprerjen e bisedimeve, se duke cituar Agjencinë Atomike, thotë që Irani vijon me pasurimin e uraniumit.
Fuqitë e Mëdha botërore janë mbledhur në Vjenë për të diskutuar mbi programin bërthamor të Iranit.
Këtë të enjte, në ditën e katërt të bisedimeve, pala iraniane ka paraqitur kërkesën për një marrëveshje të re si edhe për heqjen e sanksioneve amerikane.
"Ne u kemi dorëzuar dy draft-propozime.Sigurisht që ata do të shqyrtojnë propozimet dhe nëse janë të gatshëm të vazhdojnë bisedimet, ne jemi këtu në Vjenë për të vazhduar bisedimet," tha Ali Bagheri Kani, kryenegociatori iranian për gazetarët.
Ndërkohë, një ditë më herët Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike njoftoi se Irani kishte filluar procesin e pasurimit të uraniumit.
Kjo deklaratë solli edhe reagimin e menjëhershëm të kryeministrit izraelit.
Naftali Benet u bëri thirrje fuqive botërore që të ndërpresin menjëherë negociatat e tyre me Iranin, duke cituar njoftimin Agjencisë Atomike se Teherani ka filluar prodhimin e uraniumit të pasuruar me centrifuga më të avancuara.
Palët që po zhvillojnë negociata në Vjenë duan që të kenë një marrëveshje të re me Iranin pas asaj që arriti administrata amerikane e Obamës, por u hodh poshtë nga ish-Presidenti Donald Trump.