Porosia e Ramës, “ligj” në Vlorë, këshilli Bashkiak rrit me 48-70% tarifën e pastrimit për bizneset

Këshilli Bashkiak i Vlorës është bërë i parë parlament lokal që e ka kthyer në ligj, porosinë e kryeministrit Edi Rama për rritjen e taksës së pastrimit për bizneset në zonat bregdetare. Mbi bazë të sipërfaqes së shfrytëzimit, subjektet private në Vlorë do të paguajnë nga 20 deri në 25 mijë lekë taksë vetëm për menaxhimin e mbetjeve.

Bizneset në vijën bregdetare të Vlorës, nga janari i vitit 2022 do të paguajnë më shumë për pastrimin.

Këshilli Bashkiak rriti me 48 deri në 70 % tarifën, duke u bërë i pari parlament lokal që kthen në ligj këshillën e kryeministrit Edi Rama.

Me unanimitet dhe pa asnjë diskutim ata votuan vendimin që bazohet tek hapësira e subjektit dhe vendit të ushtrimit të aktivitetit.

Bizneset me hapësirë shfrytëzimi deri në 100 metra kartorë do të paguajnë 20 mijë lekë nga 12 mijë lekë që ishte tarifa vendore.

Ndërsa për subjektet me hapësirë mbi 100 metra katror, sipas politikës së re të taksave vendore të Bashkisë Vlorë tarifa e pastrimit rritet nga 17 000 në 25 000 lekë

Bizneset sezonale do të jenë të përjashtuar nga rritja e tarifës së pastrimit ashtu si edhe familjet, për të cilët mbetet e pandryshuar.

Nga një përllogaritje paraprake, rritja e tarifës së pastrimit prek 576 biznese në bregdetin e Vlorës, të cilët thonë se nuk ishin konsultuar për vendimin e këshillit bashkiak.

Bashkia e Vlorës e drejtuar nga Dritan Leli në vazhdimësi ka qenë në fokus të kritikave nga pushuesit dhe qytetarët e Vlorës për pastrimin e qytetit, kryesisht gjatë sezonit turistik.

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar 61 kryebashkiakëve pastrimin e territorit dhe i ka kërcënuar se do tu marrë drejtimin e bashkisë ne rast se dështojnë.

Tarifa e pastrimit Vlorë

Rritje 70 % për bizneset deri në 100 m2

Nga 12.000 lekë shkon në 20.000 lekë.

Rritje 48 % për bizneset mbi 100 m2

Nga 17 000 lekë, shkon 25.000 lekë