Policia gjermane shkatërron grupin kriminal ndërkombëtar që trafikoi 5 ton kokainë, në pranga 14 persona

Policia gjermane ka arrestuar ditën e sotme, 30 nëntor 14 persona të dyshuar si pjesë e një bande e cila ka trafikuar 5 ton kokainë nga  Amerika e Jugut në Gjermani.

Hetimi filloi në nëntor 2018 kur policia sekuestroi një kontejner në Santos, Brazil me 690 kg kokainë, tha në një deklaratë Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë.

Hetimet çuan në shkatërrimin e një rrjeti kontrabande që daton prej vitit 2011.

Krahas trafikut të drogës, pjesëmarrësit akuzohen edhe për pastrim parash. Të përfshirë dyshohen gjithashtu edhe një ish-oficer i policisë sekrete të Gjermanisë Lindore dhe një zyrë kompanie sigurimesh në Berlin.

Të dyshuarit akuzohen për përfshirje në të paktën nëntë dërgesa kokaine me një total prej afro pesë tonësh.

Policia gjermane tha se hetimi i tyre i përgjithshëm përfshin gjithsej 28 të dyshuar, shumica prej tyre gjermanë, dhe se besohet se janë përfshirë edhe shtetas turq, grekë, irakianë, gjeorgjianë, ukrainas, letonezë dhe kolumbianë.