Ashpërsohet "sherri" Francë-Angli, ministri francez: Britanikët me sistem skllavërie modern, favorizojnë emigracionin

Ministri francez për Evropën Clement Beaune ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar për praktikimin e një modeli ekonomik në tregun e punës që lejon "skllavërinë moderne", ndaj edhe ka probleme të mëdha me emigracionin në kanalin lidhës Francë – Britani.

Ndërsa vërshimet e emigrantëve në këtë linjë dhe shumë prej tyre kanë humbur jetën, Parisi i ka bërë thirrje Londrës të ndryshojë politikën e saj për emigracionin për të parandaluar kalimet e paligjshme në ngushticën mes tyre.

Londra i kërkon Parisit të bëjë më shumë për të parandaluar që migrantët të largohen nga brigjet e saj, ndërkohë që francezët e shohin këtë gjë si përgjegjësi të britanikëve.

Për ministrin francez për Evropën, modeli ekonomik i Britanisë lejon shfrytëzimin e punëtorëve të paligjshëm dhe e stimulon këtë emigracion.

Më herët ministri i brendshëm francez mbajti një takim me homologët evropianë dhe agjencitë kufitare për të diskutuar krizën e emigrantëve, por Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel, nuk u ftua në takim.

Kanë qenë replikat mes kryeministrit Boris Johnson që ngacmoi presidentin Emmanuel Macron me një letër publike ku i bën thirrje Francës të pranojë njerëzit që kthehen dhe që trupat britanike ose policia kufitare të patrullojnë plazhet franceze.

Pikërisht kjo deklaratë ka sjellë edhe përshkallëzim të deklaratave mes homologëve nëpër institucionet franceze dhe britanike.

Për ministrin e brendshëm francez, Franca pranon 150,000 kërkesa për azil në vit, krahasuar me 30,000 në Mbretërinë e Bashkuar. Ai shtoi më tej në një intervistë për "Guardian"  se Franca nuk mund të trajtohet si "vasalja" e Britanisë dhe se ishte ngopur me mesazhet e nënkuptuara që vinin nga qeveria britanike.

Tonet mes dy vendeve janë acaruar edhe më tej pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, ku nuk kanë munguar edhe bllokimet politike që palët i bëjnë njëra tjetrës për çështje të peshkimit dhe të Irlandës së veriut.