SHBA kërcënon Rusinë, Blinken: Nëse përshkallëzohet situata në Ukrainë, do ketë pasoja serioze
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken zhvilloi të martën një vizitë zyrtare në Riga, në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku u takua edhe me kryeministrin e vendit.
Blinken dhe ministri i Punëve të Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkēvičs zhvilluan edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë konferencës për shtyp, Blinken njoftoi se SHBA është e shqetësuar për ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në kufirin me Ukrainën.
Sekretari i Shtetit u tregua i ashpër me Rusinë në rast se situata përshkallëzohet në Ukrainë.
"Çdo sulm i mëtejshëm i Rusisë në Ukrainë do shoqërohet me pasoja serioze."
Kryediplomati amerikan shtoi se nesër do të flasë më shumë lidhur me kërcënimet e Rusisë, pasi të konsultohet me ministrat e Jashtëm të NATO-s në 30 nëntor në Riga.
Sekretari Blinken u ndal edhe te kriza e emigrantëve të shkaktuar sipas tij, nga presidenti autokrat i Bjellorusisë, Aleksandrë Lukashenko.
"Regjimi i Lukashenkos ka orkestruar flukse emigrantësh të paligjshëm që kalojnë kufijtë e saj. Ne jemi dakord me Letoninë dhe të tjerëve në rajon sa i përket sigurimit të kufijve të tyre, në përputhje me ligjet ndërkombëtare."
Anëtarët e NATO-s, Ukraina, Polonia, Letonia dhe Lituania akuzojnë Rusinë dhe Bjellorusinë se ka dërguar mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme në kufijtë e tyre si ndëshkim për sanksionet e BE-së ndaj Minskut.


