Policia austriake arreston 15 të dyshuar si trafikantë emigrantësh: Kanë përfituar deri në 2.5 milion euro nga kjo veprimtari
Forcat e policisë së Austrisë kanë bërë të mundur kapjen e një grupi trafikantësh që transportonin emigrantë nga vendet e Ballkanit me qëllim dërgimin në Gjermani. Personat e arrestuar janë 15 dhe sipas policisë kanë përfituar deri në 2.5 milion euro nga kjo veprimtari e paligjshme.
Qindra emigrantë të nisur nga vendet e Ballkanit me synim Gjermaninë, janë ndaluar në Austri, pasi policia ka bërë të mundur shkatërrimin rrjetit të trafikantëve që i transportonte.
Ky grup përbëhej nga 15 persona me origjinë nga Moldavia, Ukraina dhe Uzbekistani të cilët janë arrestuar nga policia e Austrisë më 27 nëntor, gjatë disa kontrolleve të ushtruara në një hotel në Vjenë dhe në disa makina në provincën Lower.
Sipas raportimeve të forcave të rendit, personat e arrestuar dyshohet se kanë trafikuar migrantët për dhjetëra here me anë të rrugëve tokësore, duke i kaluar nga kufiri ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, përmes Sllovakisë dhe Çekisë, deri në pjesën verilindore të Austrisë.
Sipas burimeve ky rrjet besohet se ka transportuar mbi 700 emigrantë, duke u marrë 4,000-5,000 euro për person për çdo udhëtim deri në Austri dhe sipas policisë ata kanë përfituar deri në 2.5 milionë euro përmes kësaj veprimtarie të paligjshme.
Rrugët Ballkanike janë mjaft aktive sa i përket transportit të emigrantëve, si edhe të rrezikshme pasi gjatë këtij viti janë shënuar disa viktima gjatë transportit të tyre.
Emigrantët janë të origjinave të ndryshme, por kryesisht u përkasin vendeve të luftës, si Siria.
