Arriti i pari te aksidenti tragjik në Bullgari, dëshmitari: Nuk ndjeva aromë nafte, por gomë e djegur

Ilija Nikollov nga Bullgaria, njëri prej personave dëshmitarë, i cili arriti i pari në vendin e ngjarjes ku ndodhi aksidenti tragjik në  Bullgari me 45 viktima, ka treguar detaje të tjera në lidhje me ngjarjen që tronditi opinionin publik.

Sipas mediave vendase Nikollov i cili punon në një objekt 500 metra në afërsi të vendit të fatkeqësisë, arriti menjëherë në vendngjarje sapo dëgjoi një shpërthim. Ai tha se janë përpjekur që të ndihmojnë njerëzit por që nuk ia kanë arritur dot për shkak se flakët ishin shumë të mëdha.

“Dëgjova një shpërthim por nuk munda ta kuptoj çfarë ishte. U lëshuam me kolegun drejt vendit dhe e pamë se diçka po digjet. Së pari digjej më pak por më pas zjarri u përforcua. U afruam të ndihmojmë por nuk kishte se si. Shumë kishte flakë, nuk mundeshim të afrohemi”, tha Ilija.

Sipas tij, kishte disa njerëz që kishin dalë nga ana e majtë e autobusit, ndërkohë ka shtuar se nuk ka ndjerë aromë të naftës por gomë e djegur.

“Më flisnin në gjuhë të panjohur, nuk kuptoja prej nga vijnë. Thirrëm në 112 dhe mora reflektues për të sinjalizuar veturat që vinin. Shumë shoferë ndaluan veturat dhe vrapuan për të ndihmuar. Policia erdhi 17-18 minuta më vonë dhe pastaj ne ikëm drejt bazës. Vinte era gomë e djegur, nuk kam ndjerë aromë të naftës. Nuk e di nëse gardhi mbrojtës e ka penguar derën të hapet, ishte shumë errësirë dhe nuk mund të vërehej çfarë po ndodhte.”, tha dëshmitari.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 nëntor 2021.