Paketa fiskale për fermerët, Duka: Qeveria nuk e ka prioritet bujqësinë, buxheti për këtë vit 2% më pak se 2021

Edhe pse i ka pritur sot, 25 nëntor në një takim, kryeministri Edi Rama nuk u ka dhenë zgjidhje kërkesave të fermerëve të cilët protestuan kundër paketës fiskale para Parlamentit. Kreu i qeverisë tha se do të krijohet një fond prej 32 milionë eurosh, mbështetje direkte për sektorin e prodhimit.

Parlamenti miratoi buxhetin duke rrëzuar të gjitha amendamentet e propozuara nga opozita. Për ekspertët taksat do të godasin prodhimin bujqësor dhe fermerët që nuk kanë asnjë mbështetje.

Ish-ministri i Bujqësisë, njëherësh deputeti Agron Duka i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se nuk duket sikur qeveria e ka në prioritet bujqësinë në përgjithësi sepse buxheti për bujqësinë këtë vit është rreth 2% më pak se në vitin 2021.

Duka: Për sa i përket paketës fiskale natyrisht ka pasoja negative sepse kështu është trumpetuar gjithmonë 6% subvencion për fermerët, nuk ka qenë 6% por ka qenë 6% TVSH në vlerë dhe 20% shitje. Pavarësisht se qeveria do thoshte që ky 6% është subvencion, por nuk është subvencion. Duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimeve të mallrave, jo për shkak të qeverisjes shqiptare, pro për shkak të tregjeve botërore kjo bëhet dyfish e dëmshme për fermerët. Shto këtu dhe TVSH-në. Shtimi i TVSH-së është e pajustifikueshme komplet.

Zoti Duka u shpreh se tregu do ta gjejë veten e vet sepse konkurrenca e lirë lejon që të shkosh të marrësh mallra që vijnë me çmim më të mirë. Për sa i përket subvencioneve Kosova jep 100 milionë euro, Maqedonia 110, Serbia mbi 150 milionë, ndërsa Shqipëria vetëm 32 milionë euro.

Duka: Bujqësia nuk mund të dalë nga gjendja dhe nuk mund të jetë konkurrente me bujqit apo fermerët e rajonit, të cilët subvencionohen me këto shifra nëse nuk subvencionohen në mënyrë direkte. Mënyrë direkte do të thotë që çdo njeri që merret me bujqësi dhe blegtori për çdo prodhim të marrë në bazë të një regjistri të caktuar duhet të marrë një subvencion. E gjithë shifra totale duhet të kapë vlerën rreth 100 milionë.

Zoti Duka u shpreh se qeveria i njeh problemet e bujqësisë, por nuk e sheh si prioritet.

Duka: Ata e njohin, nuk është se nuk e njohin. Ka dhe zëra që vijnë nga zona rurale dhe e njohin shumë mirë bujqësinë, dhe nuk janë dakord me këtë paketë fiskale. Por ky ka krijuar njëfarë autoriteti të tillë që zërat kundra janë shumë të vështirë të dalin, duan integritet të madh. Mund të mendojnë që nëse del kundër mendimit të lidershipit të mazhorancës, nesër, pasnesër mund të mos jesh pjesë e listave të ardhshme si deputet.

Zoti Duka u shpreh se kjo është e gabuar pasi njeriu duhet të ketë integritet dhe duhet të mendojë që aty është jo për t'i shërbyer një njeriu apo grup njerëzish, por për t'i shërbyer fermerëve dhe qytetarëve që e kanë çuar në Parlament.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Xhuljana Zhuleku