Berisha sqaron pse krijoi "Foltoren": PD s'mund të marrë vendime të diktuara nga askush përveç...

Pasi deklaroi se lëvizja që ka ndërmarrë nuk ka asgjë personale me kreun e PD-së Lulzim Basha, zoti Berisha sqaroi për Zërin e Amerikës se pse vendosi të krijonte "Foltoren" pikërisht pasi u përjashtua nga grupi parlamentar. Zoti Berisha u shpreh se Basha shkeli në mënyrë flagrante Statutin dhe sovranitetin e PD-së. Më tej, zoti Berisha tha se në dosje nuk ka asnjë fakt argument, provë që ta rëndojë atë politikisht.

Zëri i Amerikës: Po ku është ndryshimi, pas tre muajsh?

Sali Berisha: Tani po, shumë e drejtë. Lulzim Basha shkeli në mënyrën më flagrante statutin dhe sovranitetin e PD. Çfarë ndodhi? Këtu në gusht, erdhi zoti Philip Reeker, me të cilin kisha bashkëpunuar gjatësisht në vitet e pushtetit dhe ai i kërkon këtij që unë të mos jem në parlament. Pse bëhet kjo? Kjo bëhet meqenëse në dosje nuk ka asnjë fakt, argument, provë, që unë të rëndohesha politikisht dhe të triumfonte shpifja mbi mua. Basha më thotë, që më kërkoi këto zoti Reeker. I them kategorikisht jo! Kjo është çështje sovraniteti. Sa të jemi një vend i lirë, Sovran, anëtar i NATO-së, Këshillit të Europës, vetëm ligjet dhe zgjedhësit shqiptarë do përcaktojnë se kush do futet në parlament dhe askush tjetër.

Pas kësaj, ambasadorja bëri deklaratën e njohur të “barit” dhe unë ju përgjigja. Dhe pas deklaratës, u bënë përpjekje të mëdha, deri në idenë e votimit të një ligji, gjë të cilën, kreu i qeverisë, që qëndron pas kësaj dosje, siç thotë vetë Sekretari Shtetit në raportet e tij, nuk pranoi të bënte një ligj për të përfshirë përcaktimin në ligjin për dekriminalizimin. Atë që nuk pranoi ta bënte kreu i Qeverisë e pranoi ta bëjë kryetari i PD, i cili ka marrë pjesë aktive në procesin e “përcaktimit”. Në ç’kuptim?

Kur doli dosja Muzin, miqtë e mi në SHBA, më informuan se kryetari i PD-së mund të ndiqet penalisht për shkelje të rënda ligjore që ka bërë me transfertat e parave në SHBA, tek Nick Muzin. Unë besoja gjithnjë, jo variantin që më serviri miku im, apo dhe që më serviri ambasadori Donald Lu, por atë që më servirte Lulzim Basha, i cili më thoshte se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore.

Së dyti, po këto burime më informojnë se ky i thotë ambasadores, dhe jo vetëm ambasadores, se të gjitha vendimet i merr Sali Berisha, mi dikton Berisha, ndërkohë që ai ju thoshte ju gazetarëve se unë marr çdo vendim vetë. Të njëjtën gjë më informon dhe një burim tjetër brendshëm, shumë i besueshëm që ky deklaron se vendimet nuk janë të miat, në një kohë kur vendimet ishin krejtësisht të tijat.

Pra unë këto ja kisha thënë Lulzim Bashës, se ai në bisedë e sipër më kishte informuar se ambasadorja i thotë atij se ne e kemi paralajmëruar Berishën. I them se zotëri, mua kurrë një paralajmërim, përveç Edi Ramës, që më tha në vitin 2019, në janar më duket, se nuk mund të kalosh Atlantikun, se ke bërë konspiracion kundër politikës së jashtme të SHBA-ve, për kundërshtimin e ndryshimit të kufijve, kjo ishte teza e Xhorxh Sorosit.

I them, Lul nuk më ka thënë mua njeri se po dezinjohesh, por çfarë më kanë thënë mua, më kanë thënë se ti i ke thënë ambasadores dhe jo vetëm ambasadores, se prapa të gjitha vendimeve është Berisha dhe se Berisha kontrollon totalisht çdo vendimmarrje në PD. Këtë ja kisha thënë dhe unë nuk mund të merresha me problemet e tij, për çështje personale.

Pse u mora pastaj? U mora se në shkelje flagrante të statutit të partisë, përjashton Sali Berishën nga grupi parlamentar, një ditë përpara nisjes së parlamentit, nën presionin, siç tha ai, e tmerrshëm të ambasadores Yuri Kim dhe kërcënimeve që ai rreshtonte në fantazinë e tij nëse nuk do ndodhë ky përjashtim.

Atëherë vetkuptohet kisha dy çështje. Së pari do mbroja sovranitetin e PD. Partia Demokratike nuk mund të marrë kurrë vendimet të diktuara nga askush përveç nga anëtarësia e saj. Së dyti do të mbroja kushtetutën e PD. Statuti i PD, nuk jep asnjë kompetencë në masa disiplinore kryetarit. Që të gjitha i ka Këshilli Kombëtar dhe me dy të tretat. Lulzim Basha i komunikoi publikut një vendim që është zero dhe sot, pa asnjë konsultim me asnjeri. Më tha mua 20-30 minuta përpara. I thashë që do të kundërvihem me të gjithë forcën time për të mbrojtur statutin dhe ligjshmërinë. Dhe kjo ndodhi. Pra unë nuk po mbroj asgjë personale. Përkundrazi, po mbroj kushtetutën e Partisë dhe sovranitetin e forcës politike, pasi një forcë jo sovrae nuk vjen kurrë në pushtet. Është fasadë, fiksion dhe jo realitet.