Berisha për VOA: "Foltorja" asgjë personale me Bashën, 2 probleme themelore që duhet të japë dorëheqjen si kreu i PD-së

Ish-kryeministri dhe drejtuesi i Partisë Demokratike, Sali Berisha përjashton në mënyrë kategorike, krijimin e një force të re politike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai shprehet i bindur se kuvendi i thirrur prej tij dhe mbështetësve të tij më 11 dhjetor do të shënojë një rithemelim të kësaj partie të cilën synon ta drejtojë sërish. Për sa i përket "Foltores" ai tha se nuk ka asgjë personale në lëvizjen e tij, por ai përmend 2 probleme themelore për të cilat Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen sa më parë nga PD-ja.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, së pari ju falenderoj për mundësinë e kësaj interviste. Ju keni ndërmarrë një fushatë të ashpër kundër kryetarit të Partisë Demokratike, e paprecedentë kjo lëvizje, brenda partisë tuaj. Por ajo për të cilën dua t’ju pyes është kësaj force, pse sot demokratët apo qoftë dhe opinioni publik, duhet të besojnë se lëvizja që ju keni ndërmarrë nuk është thjesht një hakmarrje personale ndaj zotit Basha pas vendimit për largimin tuaj nga grupi parlamentar, për shkak se departamenti i Shtetit ju shpalli non grata?

Sali Berisha: Në këtë lëvizje nuk ka absolutisht asgjë personale. Ka dy probleme themelore, për të cilat unë gjykoj se Lul Basha nuk duhet të qëndrojë më asnjë minutë, por duhet të kishte dhënë dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike. Problemi i parë dhe më themelor, janë katër humbje elektorale njëra pas tjetrës. Humbje të cilat shënojnë pas 8 vitesh qeverisje skandaloze, disfatë të plotë të kësaj partie, Partisë Demokratike. Në 2021 PD ka marrë 74 mijë vota më pak, po të bëhet sipas koalicioneve, krahasuar me vitin 2013.

Lulzim Basha erdhi më 25 prill 2021, si lider që u votua vetëm nga 19 përqind e elektoratit të PD, pra erdhi si lider i thyer dhe nuk premton në mënyrë absolute fitore.

Së dyti, problemin e shpalljes non grata nga Departamenti i Shtetit, unë e mbajta krejtësisht një çështje private, një betejë abosolutisht private. Dhe për këtë qëllim unë zgjodha dy linja të betejës sime, së pari gjyqësore, që në fillim ju drejtova gjykatës në Partis, së dyti, unë informova, mora një fushatë të gjerë informative, pranë miqve të mij, por jo vetëm miqve të mij, për shembull çdo senatori, çdo kongresmeni të SHBA-ve duke mos kërkuar asgjë prej tyre, veçse duke informuar se është abuzuar me ligjin e Kongresit dhe se unë i jam drejtuar gjykatës. Pra çështja ime u mbajt personale pa u përfshi në asnjë rast PD, dhe duke i thënë kryetarit që partia nuk duhet të përfshihet në këtë rast. Ne jemi parti proamerikane, properëndimore dhe ne nuk përfshihemi në një debat të tillë.

Zëri i Amerikës: Më falni që ju ndërpres zoti Berisha. Që nga maji kur doli vendimi i Departamentit deri në shtator kur zoti Basha ishte mjaftuar me shprehjen e keqardhjes, marrëdhëniet mes jush nuk duket se kishin ndryshuar. Ndërkhë që në këtë periudhë kohore pati zhvillime të rëndësishme në PD, pati një garë për kryetar e cila u zhvillua me shumë debate dhe kritika nga kandidatë, pati një kuvend, në të cilin u fiksua përqafimi juaj me zotin Basha, ditën e votimit për kryetar ju qëndruat mbi një orë në zyrën e zotit Basha. Dhe nuk i ngritët çështjet që shtroni sot…

Sali Berisha: Shumë e drejtë. Në datën 20 maj, në konferencën e shtypit në hotel Rogner kam bërë një deklaratë në të cilën jam shprehur se vendimi im largim pa kthim merr fund. Unë do rikthehem dhe do luftoj për çdo funksion dhe post në harkun kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Dhe këtë Lulzim Basha sigurisht e lexonte shumë mirë, dhe kjo nënkuptonte së pari rikthimin tim në PD. A do të pranoja unë Lulzim Bashën kryetar të PD, pas katër disfatave elektorale. Jo kurrë. Unë do përpiqesha brenda PD të grumbulloja mbështetje që ai të largohej.

Por a duhej unë të futesha në garë, pasi në mënyrën më të padrejtë dhe pa asnjë, fakt, dokument, argument shpallem non grata? Ajo nuk ishte në dinjitetin tim, se ajo tregonte sikur unë po kërkoj strehë tani në një garë partiake, apo ombrellë, nuk kisha qëllim unë ombrellën…