Editorial i Drejt - Çfarë po ndodh me opozitën?

Mbase më shumë prej precedentëve të mëparshëm se sa prej besimit që ngjalli vetë opozita e para 25 prillit, qe krijuar përshtypja se fitorja e saj në zgjedhjet e radhës, do të ishte e sigurt pas tetë viteve në qeverisje të Partisë Socialiste.

Fronti opozitar i kryesuar nga Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike, edhe pse me djegien e mandateve dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet vendore bëri një gabim të madh e të pajustifikueshëm jo vetëm politikisht, arriti, të paktën në dukje, ta bindë veten se do të fitonte pushtetin, dhe e gjithë sjellja e tyre në publik përpiqej ta transmetonte këtë “siguri” edhe tek qytetarët.

Por edhe Partia Socialiste nuk është se nuk e ndjeu euforinë e kampit opozitar.

E mu për këtë arsye mori masa dhe ndryshoi rregullat e lojës duke shkelur marrëveshjen që kishte bërë më parë në Këshillin Politik me ndërmjetësimin e disa ambasadorëve, një prej të cilave ishte moslejimi i mundësisë së krijimit të koalicioneve.

Opozita, e pafuqishme ta bllokonte manovrën e shumicës, në vend të kompaktësonte më shumë radhët, hyri në zgjedhje e përçarë, me LSI-në që kandidoi më vetë.

Dhe rezultati dihet. Edi Rama fitoi një mandat të tretë.

Pavarësisht problemeve që dokumentohen edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet u quajtën të ligjshme dhe maxhoranca e dalë prej tyre e legjitimuar.

Mirëpo, pikërisht kur duhej që opozita të riformatohej e riorganizonte veten në realitetin politik të pas zgjedhjeve, Partia Demokratike vihet nën presionin e SHBA për të mbajtur qëndrim ndaj ish kryetarit të saj Sali Berisha, i shpallur non grata me një vendim të Sekretarit amerikan të Shtetit.

Lulzim Basha merr përsipër përgjegjësitë e një vendimi që askush nuk e mendonte, dhe për herë të parë që prej zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991, Sali Berisha hyn në sallën e Kuvendit dhe nuk ulet në vendin e tij në grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

Konflikti është tashmë evident.

Përballë strukturave formale të PD-së dhe kryetarit të saj Lulzim Basha, Sali Berisha vendos “Foltoren” e tij dhe nis serinë e takimeve publike në të gjithë Shqipërinë, duke shpallur si objektiv të parë shkarkimin e kryetarit, i cili qe rikonfirmuar në detyrë edhe me mbështetjen e Sali Berishës mes shumë kundërshtive të të tjerëve, në zgjedhjet që PD në qershor.

Në gati tre muaj, kriza e PD-së i është imponuar gjithë opinionit e dominon jo vetëm hapësirat mediatike, por edhe zhvillimet politike.

Në dhjetor janë paralajmëruar të mbahen dy kuvende kombëtare të Partisë Demokratike, më 11 dhjetor kuvendi i “Foltores” së zotit Berisha dhe më 18 dhjetor kuvendi i PD-së së zotit Basha.

Çfarë do të ndodhë me Partinë Demokratike?

Mbetet për t’u parë, nëse do të kemi dy Parti Demokratike në një, apo një Parti Demokratike në dy.

Ndërkohë ajo që dimë është se vendi ka nevojë për opozitë.