Tragjedia në Bullgari, Ambasadori shqiptar në Shkup flet për Ora News: Shumica e viktimave të rinj

Të paktën 46 persona, shumica prej të cilëve turistë nga Maqedonia e Veriut, humbën jetën pasi një autobus u përplas dhe u përfshi nga flakët në një autostradë në Bullgarinë perëndimore.

Në bordin e autobusit, i cili kishte ardhur nga Stambolli dhe ishte nisur për në Shkup, ndodheshin edhe 12 fëmijë, ndërsa vetëm 7 persona i kanë mbijetuar kësaj tragjedie që tronditi Rajonin.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar për Ora News edhe ambasadori ynë në Shkup, z. Fatos Reka, i cili thekson se gjithçka që ai di për ngjarjen janë informacionet e përcjella nga mediat e rajonit.

“Për hir të së vërtetës është pak e komplikuar përderisa çëshjta është ende nën hetim nga autoritetet e specializuara të të dy vendeve. Nuk ka ende nje prononcim për ngjarjen veçse shprehje ngushëllimesh për familjarët. Është vërtetë një aksident tragjik me përmasa të mëdha, shumica e atyre që kanë humbur jetën kanë qenë në moshë të re. Ambasada përmes rrjeteve sociale të saj është prononcuar. Gjithçka që dimë deri tani, ashtu si edhe ju është informacion i mediave. Sapo të kemi nje qendrim zyrtar të autoriteteve do ua bëjmë me dije”, thekson ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka në reagimin e tij për Ora News.